LSDM për kryetar Parlamenti propozoi Jovan Mitrevskin

Këshilli ekzekutiv i LSDM-së e konfirmoi propozimin e kryetarit Kovaçevski dhe për kandidat për kryetar të ri të Kuvendit zgjodhi Jovan Mitrevski, koordinator aktual i Grupit Parlamentar të LSDM-së, transmeton Portalb.mk.

Këshilli ekzekutiv ngarkoi sekretarin e përgjithshëm që të përgatisë një plan për procedurën, mënyrën dhe kriteret për përzgjedhjen e kandidatit për president për zgjedhjet presidenciale, në përputhje me Statutin e partisë.

Për shef të shtabit qendror zgjedhor të LSDM-së, Këshilli ekzekutiv propozoi sekretarin e përgjithshëm Mile Zeçeviq Vardarski.

“LSDM është gati dhe shkon në zgjedhje për fitore të dyfishtë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. LSDM do të propozojë kandidatin fitues për president dhe do të formojë Qeverinë e ardhshme pro-evropiane.
Kryetari i LSDM-së mori autorizim për bisedime përgatitore dhe konsultime me partitë parlamentare për Qeveri teknike, që është obligim ligjor”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Kryeministri i parë shqiptarë do të jetë kryetari aktual i Kuvendit, Talat Xhaferi. Kështu vendosi Bashkimi Demokratik për Integrim më 8 dhjetor në mbledhjen e Kryesisë Qendrore të partisë.

Sipas njoftimit të zëdhënësit të partisë, Bujar Osmani, në mbledhje është diskutuar për zhvillimet politike në vend, parapërgatitjet për zgjedhjet, zgjedhjet brendapartiake dhe për çështje të ndryshme.

Partia, sipas njoftimit, ka miratuar vendim për pjesëmarrje në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, ndërkaq për kryeministër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nga 28 janari, deri në mbajtjen e zgjedhjeve, të jetë kryetari aktual i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Çështja e kryeministrit të parë shqiptar së fundmi i soll sërish në vëmendje, pasi që Ky reagim nga BDI erdhi pasi kryetari i VMRO–DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas takimit në qershor të këtij viti me kryeministrin, Dimitar Kovaçevski, shprehu gatishmërinë që VMRO-ja të hyjë në qeveri, por jo bashkë me BDI-në. Nga BDI menjëherë reaguan dhe thanë se e pranojnë këtë ofertë, që të mos jetë në qeveri, por që fillimisht të bëhen ndryshimet kushtetuese, të cilat janë të domosdoshme për vazhdimin e bisedimeve me BE-në.

Madje, BDI tha se do të heqë dorë edhe nga pozita e kryeministrit të parë shqiptar, por megjithatë, kjo nuk u realizua, pasi që VMRO-DPMNE u tërhoq nga bisedimet.