Gazetat europiane raportonin më 1844 për “mashtrimet me besëlidhje” që autoritetet shtetërore ua bënin krerëve shqiptarë. Për ta mbajtur nën kontroll popullsinë shqiptare, eprorët osmanë herë mbillnin farën e përçarjes mes prijësve vendas e herë u jepnin pushtet e privilegje. Në këtë lojë, interesat personale e klanore shpesh mbizotëronin mbi interesat kombëtare.
Autoritetet nxisnin edhe ndasi krahinore duke i bërë krerët shqiptarë t’u betoheshin eprorëve se do t’i luftonin vetëm rivalët lokalë. Ata që guxonin të kundërshtonin këtë strategji dinake, përballeshin me dënime të pamëshirshme.
Fillimisht, krerët mashtroheshin me “premtime të favorshme”, për t’u tradhtuar më pas. Kështu, zgjidhja e problemeve zvarritej pafundësisht, ndërsa energjia e shqiptarëve harxhohej për çështje të parëndësishme.
Artikujt e gazetave duket sikur janë shkruar për kohën tonë. Krerët shqiptarë vazhdojnë të jenë të përçarë dhe të mashtrohen me besëlidhje, ndërsa problemet thelbësore mbeten të pazgjidhura. Historia përsëritet për ata që harrojnë…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.