Lloga paralajmëroi se sërish do ta miratojë Udhëzimin për udhëheqje të librave amë

 Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga paralajmëroi se pas konsultimeve shtesë do ta miratojë sërish udhëzimin për udhëheqje të librave amë, të cilën Gjykata Kushtetuese dje me shumicë votash e shfuqizoi, duke vlerësuar se vendimi është në kundërshtim me Kushtetutën, raportoi MIA. Në deklaratën për mediat, pas brifingut të sotëm në Ministrinë e Drejtësisë, Lloga tha se pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese për heqjen e Udhëzimit besoj “se siguria juridike në vend është cënuar”.    

“E përshëndeta vendimin e Gjykatës Kushtetuese të marrë dje dhe në një kohë relativisht të shkurtër morën një vendim që është në kundërshtim me vendimin e marrë nga e njëjta gjykatë për të njëjtën Kushtetutë në vitin 2004 kur u kundërshtua Ligji për shtetësinë, i cili zgjati më shumë se 31 ditë përtej afatit kushtetues. Tani me këtë vendim besoj se është cënuar siguria juridike në vend sepse bëhet fjalë për të njëjtën gjykatë, të njëjtën Kushtetutë dhe nga ana tjetër kjo i mundëson ministrit të nënshkruajë udhëzime të reja brenda afatit të duhur kushtetues prej shtatë ditëve, ndaj njoftoj se me konsultime shtesë do të miratohet i njëjti udhëzim nga ana ime”, deklaroi Lloga.

Ndryshe, Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, përmes rrjetit social Facebook ka thënë se pajtohet dhe përshëndet vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e “Udhëzimit për ndryshimin dhe plotësimin e udhëzimit për mënyrën e ruajtjes dhe mbajtjes së librave amë dhe regjistrave, dhënien e certifikatave, transkripteve dhe kopjeve të bazuara në librat amë, kryerja e procedurës dhe krijimi i procesverbalit për fëmijë të gjetur, ripërtëritje të librave të shkatërruar, të dëmtuar ose të zhdukur si dhe format e librave amë, regjistrin e librave amë, certifikatat e lëshuara në bazë të librave amë”, akt i miratuar nga Ministria e Drejtësia. Por thotë se pret që gjykata të veprojë sipas detyrës zyrtare edhe për aktet e tjera ku është shkelur afati kushtetues për publikimin në Gazetën Zyrtare.

Përndryshe, ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, në fund të majit e nënshkroi udhëzimin me çka vendoset përkatësia etnike në certifikatën lindjes, certifikatën e kurorëzimit dhe certifikatën e vdekjes.

“Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, nënshkroi Udhëzimin për ndryshim dhe plotësim të Udhëzimit për mënyrën e mirëmbajtjes, mbrojtjes dhe ruajtjes së librave amë dhe dokumentacioneve; lëshimin e certifikatave, vërtetimeve dhe kopjeve duke u bazuar në librat amë;  drejtimin e procedurës dhe hartimin e  procesverbalit për fëmijë të gjetur; riparimin e librave amë të shkatërruar, dëmtuar apo të zhdukur, si dhe formateve për librat amë, regjistrit të librave amë, certifikatave dhe vërtetimeve të cilat lëshohen duke u bazuar në librat amë, ku do të ketë një shtyllë për përkatësinë etnike”, informoi Ministria e Drejtësisë.

Ky Udhëzim siç njoftuan nga Ministria e Drejtësisë do të hyjë në fuqi pas skadimit të tetë ditëve nga botimi në Gazetën Zyrtare për certifikatat e lindjes, ndërsa për certifikatat tjera për shkak të implikimeve financiare, Udhëzimi do të fillojë të zbatohet nga 1 janari 2024.

Vendimi i Ministrisë vjen pas informatave në opinion se qytetarë të përkatësive të ndryshme, rrejshëm paraqiten dhe punësohen në vende pune ku kërkohen qytetarë të përkatësive të caktuara. Për shembull, për një vend pune ku kërkohet të punësohet një person me kombësi shqiptare, një qytetar me kombësi maqedonase shkruhet si shqiptar ose anasjelltas.