Lloga kërkon t’i hiqet ministrit të Drejtësisë e drejta diskrecionale për përzgjedhjen e noterëve dhe përmbaruesve

Në seancën e djeshme të Këshillit për Vëzhgimin e Zbatimit të Strategjisë së Reformës në Sektorin e Gjyqësorit, e cila për herë të parë u mbajt me prezencë fizike, ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, anëtarëve të Këshillit u tha se është e nevojshme që disa aktivitete të përcaktuara të jenë pjesë e strategjisë së re zhvillimore, njofton Portalb.mk.

“E drejta për lëshimin e licencave për ekspertët duhet të transferohet nga Ministria e Drejtësisë tek dhomat kompetente. Provimi i jurisprudencës, si dhe provimet për noterët dhe përmbaruesit, duhet të jepen në Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë në vend se në Ministrinë e Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë, Lloga, me iniciativën e tij, kërkoi heqjen e të drejtës diskrecionale të ministrit për përzgjedhjen e noterëve dhe përmbaruesve. Kjo me qëllim për të garantuar transparencë në procedurat e emërimit të tyre”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Në kumtesë thuhet se ka kërkesë që të parashikohet përgjegjësia penale e gjyqtarëve të jurisë, të dorëzojnë fletë anketimi për gjendjen e pasurisë së tyre, por edhe të ketë prani publike në të gjitha proceset para Gjykatave të Apelit dhe Gjykatës së Lartë.

“Një pjesë e propozimeve që do të duhet të diskutohen në periudhën në vijim janë edhe heqja e Gjykatës së Lartë Administrative, e cila do të kërkojë një reformë të plotë të së drejtës administrative, si dhe ndryshime në Ligjin për Këshillin Gjyqësor, në mënyrën e zgjedhjes dhe shkarkimit të anëtarëve të këshillit”, shtojnë nga Ministria e Drejtësisë.

Në seancë, si[ njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë u hap diskutim publik për të gjitha vërejtjet, komentet dhe propozimet nga të gjithë anëtarët e Këshillit lidhur me aktivitetet e Planit të Veprimit.

“VMRO-DPMNE, përkundër faktit se ishin ftuar të marrin pjesë në seancë, nuk erdhën në debatin publik. Atyre do t’u dorëzohet draft versioni i Strategjisë Zhvillimore, pas së cilës pritet të japin vërejtje dhe komente konkrete për çështje të caktuara”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Strategjia është e një rëndësie të jashtëzakonshme për sa i përket miratimit të Udhërrëfyesit për sundimin e ligjit dhe zbatimit të tij dhe pritet që kjo të rrisë besimin në gjyqësor.

Kur bëhet fjalë për besimin tek institucionet, në vitin 2022 sipas hulumtimit të “Eurometer”, qytetarët vetëm 6% i besojnë gjyqësorit, ndërkaq vetëm 7% prokurorisë.