Malmo nikoqir i Eurovizion 2024

Eurovizion 2024 është caktuar të mbahet në Malmo të Suedisë në datat 7, 9 dhe 11 maj pas fitores historike të Loreen në Liverpull në 2023, shkruan Portalb.mk.

Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) së bashku me transmetuesin suedez STV do të organizojnë festivalin vitin që vjen.

Pas një procesi të fortë dhe ofertash konkurruese, Malmo u zgjodh qyteti nikoqir për Eurovizionin e ardhshëm.

Mbikëqyrësi ekzekutiv i Eurovizionit – Martin Osterdahl theksoi se Malmo zë vend të veçantë në historinë e festivalit.

“Angazhimi i Malmö-s ndaj diversitetit, gjithëpërfshirjes dhe inovacionit përputhet në mënyrë të përkryer me frymën e garës… Angazhimi i tij ndaj qëndrueshmërisë dhe iniciativave të gjelbra përputhet gjithashtu në mënyrë të përkryer me vlerat tona, duke e bërë atë një qytet pritës ideal për konkursin e 68-të të këngës në Eurovizion… Oferta e Malmö-s demonstroi një pasion të madh për Eurovision Song Contest dhe unë kam besim të plotë në aftësinë e tyre për të krijuar një përvojë të paharrueshme që do të bashkojë fansat, artistët dhe shikuesit anembanë globit”, deklaroi Martin Osterdahl, transmeton Eurovizion.

Nga ana tjetër, producenti ekzekutiv Ebba Adielsson ka theksuar se pasi kishin të gjitha opsionet, Malmo u zgjodh përfundimisht pasi plotësoi të gjitha kriteret dhe ofron një vendndodhje me vende të shkëlqyera.

“Është një qytet ku të gjithë ata që marrin pjesë në Eurovision Song Contest mund të lëvizin lehtësisht. Malmö është gjithashtu i vendosur fort që t’u ofrojë atyre që vizitojnë dhe jetojnë në qytet një shans për të marrë pjesë në festime”, tha Ebba Adielson.

Katrik Stjernfledt Jammeh, kryetarja e bordit ekzekutiv të komunës së qytetit tha se “janë krenarë dhe të lumtur që mirëpresim sërish Eurovizionin. Malmo do të japë të njëjtën ndjenjë mahnitëse si në 2013 – me përvoja të reja në 2024.”

Viti i ardhshëm po ashtu do të jetë hera e pestë që radhazi festivali nuk mbahet në një kryeqytet.

Suedia vitin që vjen do të jetë nikoqire e festivalit për herë të shtatë. Malmo do të jetë pritëse e festivalit për herë të tretë pas edicionit të vitit 1992 dhe 2013, ndërsa Suedia ka organizuar festivalin edhe në vitet 1975, 2000, 2016 në Stokohlm , ndërsa në vitin 1985 në Gotenborg.

Suedia aktualisht mban trofeun si shteti që ka fituar më së shumti Eurovizionin, plot shtatë herë së bashku me Irlandën.

Biletat për festivalin do të shpallen në periudhën në vazhdim.

Ndryshe, Loreen nga Suedia u bë artistja e parë grua që fitoi Eurovizionin dy herë, në 2012 me këngën “Euphoria” dhe në 2023 me këngën “Tattoo”.