Lloga: Kërcënimet kibernetike bëhen më të shpeshta, më të sofistikuara dhe shkaktojnë pasoja më të rënda

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, është duke marrë pjesë në Samitin e Krimit Kibernetik të Evropës Juglindore, i cili po mbahet në Shibenik. Duke folur në panelin e diskutimit në temën: “Krimi Kibernetik-Kërcënim i Sigurisë në Evropën Juglindore dhe Rëndësia e Bashkëpunimit”, ai porositi se është e nevojshme që çdo vend të sigurojë një mjedis digjital të sigurt, të besueshëm dhe rezistent.

Lloga tha se kërcënimet kibernetike dhe sulmet po bëhen më të shpeshta, më të sofistikuara dhe po shkaktojnë pasoja gjithnjë e më të dëmshme.

“Siguria kibernetike mund të realizohet vetëm nëse ekzistojnë në dispozicion kapacitete efektive dhe efikase për sigurinë kibernetike, por edhe në qoftë se punohet në parandalimin. Përvoja është praktika më e mirë. Arsimimi i ekspertëve dhe shkëmbimi i përvojave, janë hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit kompjuterik. Jetojmë në një kohë të rritjes së madhe të numrit të përdoruesve të internetit dhe ТИК-ut, një numër më të madh të shërbimeve elektronike dhe aplikacioneve të qasshme dhe efektive, numri i të cilave është drejtpërdrejtë proporcional me rreziqet dhe sulmet e reja kibernetike. Numri i rasteve ku ky krim vështirë zbulohet është i madh, ndërsa dëshmitë edhe më vështirë sigurohen dhe në disa raste është e pamundur që në mënyrë efektive të zbatohet procedura penale dhe autorët të vihen para ligjit dhe të sanksionohen në pajtueshmëri me rrethanat”, tha Lloga.

Si shembull ishin të adresuara portalet anonime të krijuara në Veles, të cilat ishin të lidhura me zgjedhjet në SHBA, si dhe raportimet e rreme për bomba në shkolla në disa qytete që vinin nga paraqitës anonimë dhe u vlerësuan si pjesë e një kërcënimi hibrid dhe krimi kibernetik.

Lidhur me aktivitetet e ndërmarra nga ana e Qeverisë, Lloga informoi se Republika e Maqedonisë së Veriut u bë anëtarja e 103-të e Forumit Global për Ekspertizë Kibernetike (Global Forum on Cyber Expertise), një nga rrjetet më të mëdha botërore për bashkëpunim ndërkombëtar dhe ngritje të kapaciteteve për siguri kibernetike. Në vitin 2018 u miratua Strategjia Nacionale e Sigurisë Kibernetike 2018-2022 dhe u përgatit një Strategji e re e Sigurisë Kibernetike për periudhën 2023-2026. Është krijuar Këshilli Nacional për Transformimin Digjital të Shoqërisë, qëllimi kryesor i të cilit është planifikimi, koordinimi dhe realizimi i aktiviteteve të nevojshme për digjitalizimin e proceseve, si dhe përballim efektiv me sfidat që ai sjell.

Samiti u organizua nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe Administratës Publike të Republikës së Kroacisë dhe Ministrisë së Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në të morën pjesë përfaqësues të lartë të vendeve të Evropës Juglindore dhe SHBA-ve.

Ndryshe, në debatin e Konventës Nacionale për BE-në në RMV, ku i pranishëm ishte edhe ministri i MPB-së OliverSpasovski, u konstatua se kur bëhet fjalë për sigurinë kibernetike, çdo institucion duhet të ndërtojë aftësitë e tij mbrojtëse. Vetëm përfshirja e të gjithëve në sistem mund të mundësojë mjedis digjital të sigurt, të besueshëm dhe elastik, në dobi të qytetarëve, bizneseve dhe administratës publike. Sa më shumë të arrijmë të përmirësojmë institucionin tonë, aq më shumë do ta mbrojmë vendin.