“Llaskarca” ekspertët e komunikacionit: Shoferi ka pasur mundësi, por s’ka frenuar, autobusi vetë e ka ngadalësuar shpejtësinë

Shoferi i autobusit duke lëvizur prej korsisë së mesme ka kthyer në të majtë, ka goditur bankinën dhe më pas ka vazhduar në pjesën e kundër të autostradës dhe në fund autobusi është rrëzuar në pjesën e rrugës rajonale dhe ka përfunduar në fushë. Gjatë gjithë kësaj kohe, shoferi ka pasur mundësi, por fare nuk ka frenuar. Ngadalësimi i shpejtësisë së autobusit nuk ka ndodhur nga frenimi, por nga faktorë tjerë. Kështu deklaruan ekspertët të cilët e kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit, gjatë seancës së sotme gjyqësore për aksidentin e Llaskarcës i cili ka ndodhur në shkurt të vitit 2019-të dhe në të cilin kanë humbur jetën 16 persona dhe 37 të tjerë janë lënduar, raporton Portalb.mk.

Superekspetiza është bërë me qëllim që t’i pastrojë mendimet e ndryshme të tre ekspertizave tjera të komunikacionit, të cilat janë bërë paraprakisht, me porosi të palëve. Prokurori disa herë ka dhënë vërejtje se eksperti që sot u pyet, po jep përgjigje kundërthënëse, duke aluduar se po e mbron kompaninë “Durmo Turs” dhe po ia hedh fajin shoferit.

“Sipas jush a ka ekzistuar te shoferi ndonjë arsye ose pengesë objektive që ta lëshojë korsinë e mesme dhe të kthejë në të majtë”, e pyeti prokurori Darko Jakimovski, eksperti Nevzat Zekir, i cili ashtu sikur edhe paraprakisht ishte i shoqëruar me ekspertët Jakub Mamuti dhe Lupço Postollovski.

“Sipas dokumenteve të lëndës erdhëm në njohuri se nuk ka ekzistuar ndonjë pengesë objektive që të kthejë [në të majtë]. Sipas dëshmitarëve, shoferi i autobusit nuk i ka aktivizuar frenat dhe kjo është konstatuar në bazë të dritave [dritat e pasme sinjalizuese të autobusit, të cilat ndizen gjatë frenimit], gjegjësisht ata nuk janë ndezur. Ekspertët makinerik kanë testuar dhe kanë konstatuar se dritat kanë qenë funksionale. Se nuk janë ndezur këto drita, tregojnë dhe dëshmitarët”, tha Zekir.

Prokurori e pyeti ekspertin se sa dëshmitarë kanë thënë që nuk janë ndezur dritat, ndërkaq eksperti tha se nuk i kujtohet se sa, por mendon që ka më shumë se një.

Ekziston vetëm një dëshmitar e ai është Senat Kasami i cili me Audi ka lëvizur mbrapa autobusit”, tha prokurori.

Eksperti Zekir tha që gjurmët që janë evidentuar në vendin e ngjarjes janë të lëvizjes dhe jo të frenimit.

“Në segmentin e parë ka gjurmë të lëvizjes, por nuk ka gjurmë të frenimit, kështu tregojnë edhe dëshmitarët. Për segmentin e tretë në pjesën e kundërt të rrugës, pra në drejtimin Tetovë-Shkup, nuk më kujtohet se a ka dëshmitarë. Dalja nga korsia është lëshim i shoferit”, tha Zekir.

Në vijim, prokurori parashtroi një sërë pyetjesh në lidhje me efikasitetin e frenave, për çka eksperti Zekir tha që sipas ligjit efikasiteti duhet të jetë minimum 45%.

“Megjithatë nuk ekziston provë materiale që mund të konstatohet përqindja e efikasitetit të frenave të autobusit”, tha Zekir.

Ai shtoi se kur ka kthyer shoferi për në të majtë, nuk ka ngadalësim të shpejtësisë si pasojë e frenimit, por të rezistencës së sistemit të transmisionit, rrotave, lëvizjes, rrugës së pjerrtë, por edhe të dëmtimit të pjesës së poshtme të autobusit.

Kjo, për prokurorin është kontestuese.

“Tregoni ndonjë literaturë të komunikacionit, qoftë amerikane, evropiane ruse apo maqedonase që e dëshmon këtë. Ku jeni bazuar për këtë konstatim?”, pyeti prokurori Jakimovski.

“Kjo nuk është e shkruar askund në literaturën e komunikacionit, por ne i kemi marrë të gjithë faktorët”, tha Zekir.

Eksperti Lupço Postollov, ndërhyu duke thënë se janë bazuar në atë që nuk ka gjurmë.

“Frenim nga ana e shoferit nuk ka pasur as para goditjes së bankinës mbrojtje e pas goditjes së bankinës e deri në rrëzimin nga autostrada në rrugën rajonale e më pas në fushë. Literaturë ekziston, por nuk mund ta them tani saktë”, tha Postollov.

Prokurori insistoi disa herë të bëjë përllogaritje në lidhje efikasitetin e koeficientit të frenave të autobusit gjatë aksidentit, edhe pse paraprakisht bëri llogaritje në aspektin teorik.

“Nëse koeficienti i frenave është 45% mund të kalohen 4.5 metra katrorë në sekondë me përdorim maksimal të përdorimit të frenave”, tha eksperti Zekir.

“Në këtë rast a mund të kalohen 2.88 metra nëse koeficienti i frenave është 29%?”, e pyeti prokurori Jakimovski.

Zekir iu përgjigj se koeficienti nuk konstatohet kështu, por vetëm ne kontroll teknik.

“Kjo s’është logjike, di të llogaritë se sa është koeficienti në 4.5 metra katrorë në sekondë, por nuk di të llogarit 2.8 metra katror në sekodë”, komentoi Jakimovski, për çka, avokatët e “Durmo Tursit” reaguan te gjykatësja që të mos jepen komente të tilla.

Prokurori ia kujtoi ekspertit Zekir se kolegët e tij nga Byroja për Ekspertiza kanë konstatuar se në momentin e aksidentit, koeficienti i frenave ka qenë 30%, dhe ngadalësimi është bërë për 2.88 metra në sekondë.

“Nuk mund të konstatohet koeficienti ashtu, nuk e di se si ato e kanë llogaritur. Kjo nuk është e saktë sepse nuk ka prova të mjaftueshme materiale”, tha Zekir.

Prokurori vazhdoi ta pyet Zekirin në aspektin e efikasitetit të frenimit, nëse me shartin takografik mund të konstatohet efikasiteti i frenimit, por Zekir tha se edhe me atë nuk mund të konstatohet.

“Nëse lenta takografike nuk ka të dhëna për një aksident, në lidhje me atë se sa ka qenë efikasiteti i frenimit në momentin e aksidentit, gjegjësisht nëse ka qenë ndër ose mbi 45% atëherë pse ekziston rregullativa ligjore për vendosjen e takografit dhe pse ekziston takografi?”, pyeti prokurori Jakimovski.

Ekspertët përjashtojnë mundësinë që aksidenti të jetë shkaktuar si pasojë e faktorit të rrugës apo automjetit, dhe me këtë faji mbetet te shoferi. Thënë më qartë, ekspertët e komunikacionit, ashtu sikur makinerik, thonë se autobusi ka qenë teknikisht në rregull, por shoferi nuk ka ndërmarrë aktivitete për të frenuar.

Seanca e sotme u shoqërua me tensione mes avokatëve pasi që kohëpaskohe avokatët ndërhynin derisa eksperti duhej të japë përgjigje. Për këtë gjykatësja i paralajmëroi se nëse vazhdojnë do të gjobiten.

Kjo është seanca e tretë që dëshmojnë ekspertët që e kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit.

Paraprakisht, kanë dëshmuar edhe ekspertët të cilët e kanë përgatitur superekspertizën makinerike.

Avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, me superekspertizën makinerike dhe të komunikacionit pretendojnë t’ia hedhin fajin vetëm shoferit të autobusit, duke shmangur përgjegjësinë për gjendjen e rregullt teknike të autobusit. Nga ana tjetër, avokati i shoferit të autobusit, pretendon që shoferi nuk ka faj, por ka kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike.

Sipas dy ekspertizave, autobusi ka pasur parregullsi teknike, por këto parregullsi nuk kanë qenë shkaktar për aksidentin. Sipas tyre, shoferi edhe pse ka pasur mundësi, nuk i ka ndërmarrë veprimet e duhura për ta ndaluar autobusin, gjegjësisht nuk ka frenuar.

Procesi gjyqësor ka filluar në shtator të vitit 2019-të. Gjykatëse e lëndës është Diana Gruevska Ilievska.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.