Limani dhe Shabani e filluan mandatin e ri në krye të komunave
Pas zgjedhjeve të përsëritura të mbajtura më 11 janar në katër komunat e Maqedonisë së Veriut, katër kryetarët e komunave e filluan mandatin e ri në pozitën e kryetarit të komunës, transmeton Portalb.mk.
“Me besimin tuaj, sot mora zyrtarisht përgjegjësinë për të drejtuar komunën për katër vitet e ardhshme. Ky mandat është një obligim ndaj çdo qytetari që besoi në punë, ndershmëri dhe guxim”, deklaroi Isen Shabani, kryetari i Komunës së Vrapçishtit.
Mandatin e katërt me radhë e ka marrën Arijan Ibraimi në krye të Komunës Qendër Zhupë, ndërsa mandatin e ri e nisi edhe Valbon Limani në krye të Gostivarit. Ky është mandati i dytë i Limanit në krye të Vrapçishtit, pasi mandatin e kaluar e kishte filluar nga gjysma.
Detyrën e kryetar të Komunës së Mavrovës dhe Rostushës dje e filloi Oner Jakupovski.
Ndryshe, Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) më 12 janar në seancë shpalli rezultatet fillestare zyrtare të zgjedhjeve të përsëritura për kryetar komune në komunat Gostivar, Mavrovë Rostushë, Vrapçisht dhe Qendër Zhupë, bazuar në procesverbalet origjinale nga qendrat e votimit. Sipas këtyre të dhënave, në Gostivar më shumë vota fitoi Valbon Limani nga AKI, në Mavrovë-Rostushë Oner Jakupovski nga Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, në Komunën e Vrapçishtit Isen Shabani nga AKI, ndërsa në Qendër Zhupë kishte një kandidat të regjistruar – Arijan Ibraim nga Partia Demokratike e Turqve në Maqedoni.
Në rrethin e parë u zgjodhën 44 kryetarë komunash, në raundin e parë VMRO-DPMNE fitoi 33 komuna, VLEN 5, AKI 3 dhe LSDM 3.
Në rrethin e dytë VMRO-DPMNE fitoi 21 komuna dhe Qytetin e Shkupit, Vlen 4, LSDM 3, AKI 1, ZNAM 1, Unioni i Romëve 1 dhe Mendi Qyra i përkrahur nga VLEN.