Ligji që bën diferencimin si “seksi, gjinia dhe identiteti gjinor”, i papranueshëm për bashkësitë fetare në RMV

Krerët e KOM – PO (Kishës Ortodokse Maqedonase – Peshkopatës së Ohrit), BFI-së (Bashkësisë Fetare Islame), KK (Kishës Katolike), KMU (Kishës Metodiste Ungjillore) dhe KH (Komunitetit Hebraik), të nxitur nga paralajmërimet për miratimin e propozim ligjeve për Gjendjen Civile dhe Barazinë Gjinore, kanë reaguar përmes një letre ku vlerësojnë se është e papranueshme njohja ligjore e “identitetit gjinor” në këto ligje, si dhe dallimi konfuz midis: seksit, gjinisë dhe identitetit gjinor, transmeton Portalb.mk.

Në letrën e nënshkruar nga krerët e bashkësive fetare të lartpërmendura thuhet se përmes miratimit të këtyre ligjeve, të njëjtat në vend që t’i mbrojnë, hapin mundësinë e diskriminimit ndaj më të pambrojturve – grave dhe fëmijëve.

“Në fakt, shqetësimi ynë më i madh është synimi i këtij ligji që t’i përfshijë edhe të miturit, përkatësisht fëmijët. Promovimi i identiteteve të ndryshme gjinore dhe rrjedhshmëria midis tyre, mund të shkaktojë dëme të pariparueshme, veçanërisht te adoleshentët, të cilët, të udhëzuar dhe arsimuar në këtë mënyrë, duhet të kalojnë nëpër një proces të vetëshqyrtimit dhe provimit që është i papërshtatshëm për moshën e tyre. Aq më tepër, që propozim ligji për barazi gjinore hap mundësinë e rrezikimit të të drejtave prindërore, sepse nga pikëpamja e identitetit gjinor, parasheh fëmijët të trajtohen të barabartë si të rriturit”, thuhet në komunikatë.

Ata thonë se ideologjia gjinore është një realitet me pasoja tragjike, e cila gjithnjë e më shumë shkakton rezistencë aktive të prindërve, psikiatërve, psikologëve dhe mësuesve, andaj bëjnë thirrje për tërheqjen e propozim ligjeve dhe të lihet hapësirë kohore për studimin më serioz të tyre, për njohjen me të gjitha pasojat ndaj shëndetit psikologjik të të rinjve, dhe për përfshirjen aktive e të gjithë faktorëve në shoqëri në hartimin e ligjeve të tilla, mbi të gjitha, të prindërve dhe ekspertëve.

“Burimin e këtij trendi shqetësues ne e shohim në ratifikimin e Konventës së Stambollit, e cila, qëllimin fisnik të mbrojtjes së grave dhe fëmijëve, e përdori si mbulojë për imponimin e fshehtë të ideologjisë gjinore. Në fakt, projektligjet në thelb bien ndesh me doktrinat e të gjitha bashkësive fetare! Prandaj, u bëjmë thirrje të gjitha subjekteve relevante që seriozisht të shqyrtojnë mundësinë e tërheqjes së këtij dokumenti, duke ndjekur shembullin e shumë shteteve anëtare të BE-së, që janë distancuar prej saj, siç janë Turqia, Çekia, Hungaria, Bullgaria, Sllovakia, Lituania dhe Letonia, që ende nuk e kanë ratifikuar atë, përkatësisht disa e kanë refuzuar atë pikërisht për shkak të komponentit të saj gjinor”, thuhet në komunikatë.

Kujtojmë që ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, siç transmeton MIA ka thënë se se dialogu për projektligjin për barazi gjinore do të vazhdojë deri në momentin kur, siç thotë ajo, do të merret  zgjidhje përfundimtare, e harmonizuar dhe cilësore, e mbështetur me mekanizma mbrojtës, pa boshllëqet ligjore. Trençevska në fund të muajit mars ka sqaruar se ligji është version punues dhe në fazë konsultimi me të gjithë të interesuarit, ku deri atëherë ishin mbajtur tetë debate publike, të cilat kanë mbuluar të gjitha qarqet e vendit, ku kanë marrë pjesë numër i madh i të interesuarve, koordinatorëve dhe komisioneve për mundësi të barabarta për gratë dhe burrat në nivel lokal, përfaqësues të shoqatave lokale të qytetarëve si dhe gra deputete.