Ligji për përfaqësim të drejtë nga “VLEN” ende nuk ka arritur në Qeveri, Mexhiti: Versioni i parë të shkojë në Komisionin e Venedikut

Bisedat brenda koalicionit, debat i gjerë publik me ekspertë dhe akademikë, si dhe dërgimi në Komisionin e Venedikut,  propozimi për Ligjin e përfaqësimit të drejtë ende nuk ka arritur në Qeveri, por këto do të jenë hapat pasi të përgatitet draft versioni. Zëdhënësja Maria Miteva përsëriti qëndrimin në lidhje me “balancuesin” e tashmë të hequr, duke thënë se ai ka përfunduar funksionin e tij dhe se duhet të krijohen zgjidhje më produktive, transmeton Portalb.mk.

“Në këtë moment, nuk ka një zgjidhje të tillë që është dërguar në Qeveri, as në mbledhje qeveritare, dhe për të njëjtën do të informohet publiku menjëherë sapo të krijohet mundësia. Në lidhje me balancuesin, i cili është hequr, ne kemi shprehur qëndrim që ai ka përfunduar funksionin e tij, prandaj synojmë të mbyllim çështjet që në të kaluarën kanë rezultuar si të joproduktive dhe të krijojmë zgjidhje të reja që do të sigurojnë vërtetë përfaqësim të drejtë”, tha Miteva në konferencën për media sot në Qeveri.

Zëvendëskryeministri Mexhiti, i cili e ka shpallur koalicionin që do të paraqesë propozimin për ligjin e përfaqësimit të drejtë, nuk zbulojë se çfarë do të përmbajë zgjidhja ligjore, por tha se është mirë që versioni i parë të dërgohet në Komisionin e Venedikut, që do të ndihmojë në miratimin e një ligji që nuk do të jetë i paqartë ose që do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën, por do të jetë një zgjidhje afatgjatë.

“Çfarë do të përmbajë, nuk mund të themi, por mund të them se do të ketë një debat publik. Do të përfshihen akademikë nga të gjitha universitetet, profesionistë, gjithçka në funksion të gjetjes së zgjidhjes më të mirë, e cila do të jetë një zgjidhje afatgjatë dhe që nuk mund të kontestohet nga askush nesër-pasnesër. Duhet të kemi kujdes për kategorinë kushtetuese të përfaqësimit të drejtë, por gjithashtu të mos shkojmë në përplasje me Kushtetutën dhe të mos pësojmë sërish situata të tilla,” tha ministri Mexhiti.

Sipas liderit të ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, heqja e balancuesit është një vendim i drejtë, pasi ky instrument ishte keqpërdorur në mënyrë të tillë që në disa pozita ishin punësuar sipas çelësit etnik, edhe pse personat nuk e kishin njohjen e gjuhës maqedonase.

“Fakt është që ka institucione ku punësohen njerëz me përkatësi etnike shqiptare, të cilët nuk e zotërojnë mirë gjuhën maqedonase, sidomos nga brezi më i ri. Punësimet duhet të bazohen në cilësi. Nuk duhet të lejohet që ato të jenë sipas çelësit partiak, e aq më pak sipas atij etnik apo fetar,” tha Maksim Dimitrievski, kryetar i ZNAM dhe kryetar i komunës së Kumanovës.

Një qëndrim i konsoliduar i koalicionit qeveritar është se balancuesi është një instrument tashmë i shteruar, që vinte nga Marrëveshja Kornizë, dhe në vitet e fundit është abuzuar shumë. Për t’u reformuar sipas standardeve evropiane, duhet të punohet në përmirësimin e administratës dhe promovimet të jenë ekskluzivisht mbi bazën e cilësisë, njohurive dhe ekspertizës.

Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit Balancues, i cili deri tani ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk do të mbahet llogari për përkatësinë etnike.

Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse me të bëhen abuzime gjatë punësimit.

Vendimi për shfuqizimin balancuesit i përplasi partitë politike në vend. Fronti Evropian e quajt këtë vendim të motivuar politikisht dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit. Koalicioni VLEN nga ana tjetër tha se këtë instrument do ta zëvendësojnë me një Ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
Nga Delegacioni i BE-së në Shkup thanë se e presin zëvendësimin e “Balancuesit” duke e theksuar rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm të Marrëveshjes së Ohrit.