811 mijë euro për portalet e RMV-së, para nga kulaçi për zgjedhjet parlamentare
Gjithsej 811.000 euro janë shpenzuar në zgjedhjet parlamentare nga koalicionet për reklamim në më shumë se 150 portale të internetit, tregojnë të dhënat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të cilat Meta.mk i siguroi pas përpjekjeve disamujore. Të dhënat i kemi kërkuar nga të gjitha institucionet relevante Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Ministria e Financave dhe Enti Shtetëror i Revizionit, transmeton Portalb.mk.
Të dhënat janë nga data 4 shtator i këtij viti, kur pas përpjekjeve të shumta ne i siguruam statistikat për urdhëresat e miratuara dhe të krijuara për pagesa për reklamimin e partive dhe koalicioneve në portalet online.
Nga hulumtimi i bërë mund të konkludohet se sa i përket raporteve financiare për atë se sa para kanë marrë portalet online sundon një kaos i vërtetë. Nga të katër institucionet kompetente ne morëm të dhëna të ndryshme, në ueb-faqet e institucioneve ende nuk janë publikuar të gjitha raportet, ndërsa nuk janë paguar as të gjitha paratë, pavarësisht se kanë përfunduar të gjitha afatet ligjore.
Para zgjedhjeve parlamentare pranë Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për financim për reklamim partiako-politik në fushatën zgjedhore aplikuan 249 portale online. Sipas të dhënave të cilat i siguruam, rreth 150 morën prej tyre kanë marrë para nga shteti.
Nga gjithsej 811 euro të paguara apo miratuara, të cilat nëpërmjet të partive pjesëmarrëse në zgjedhje arrijnë deri te mediat, deri më 4 shtator janë paguar 349 mijë euro, janë miratuar 450 mijë euro, ndërsa për pjesën tjetër janë krijuar urdhëresa për pagesë.
Çdo parti/koalicion vendos vetë se cilit portal online do t’ia japë paratë për reklama. Një portal, pa TVSH, mund të marrë maksimum 15.000 euro nga një pjesëmarrës në zgjedhje.
Qytetarët duhet të dinë se si shpenzohen paratë e tyre
Paratë që portalet, por edhe mediat e tjera, të shtypura dhe elektronike, i marrin për fushatat zgjedhore janë para të taksapaguesve, pra vijnë nga Buxheti. Ndërsa qytetarët kanë të drejtë të plotë të dinë se si shpenzohen paratë e tyre, me ç’rast pritet që procesi i financimit, sidomos kur bëhet fjalë për një relacion parti/koalicion-media, pritet të jetë plotësisht transparent. Hulumtimi ynë tregoi se mungon transparenca e institucioneve shtetërore në këtë segment, pra është pothuajse e pamundur të merren të gjitha informacionet për procesin e financimit të portaleve të internetit gjatë fushatës parazgjedhore.
Krahas kësaj, siç është theksuar edhe më parë në raportet e revizionit, nevojiten kritere të qarta dhe të sakta për ndarjen e parave buxhetore për reklamat politike me pagesë në portalet online. Sa i përket Maqedonisë kritere të tilla nuk ekzistojnë, gjegjësisht në KSHZ mund të aplikojë çdo portal ndërsa partia/koalicioni të vendosë se kujt do t’i japë paratë.
Biljana Georgievska, drejtoreshë ekzekutive në Këshillin për Etikë në Media në Maqedoni (KEMM) thotë se është jashtëzakonisht e rëndësishme transparenca për atë se cilat parti politike sa para u kanë paguar dhe cilave media ua kanë paguar, sepse bëhet fjalë për paratë e taksapaguesve, gjegjësisht për paratë tona të shpenzuara që një parti e caktuar t’ua “shesë” votuesve premtimet e veta.
“Qytetarët meritojnë që ta dinë nëse paratë e tyre janë shpenzuar për informimin e publikut për atë se si një parti e caktuar planifikon ta përmirësojë cilësinë e jetës në vendin tonë, ta promovojë ekonominë, ta stabilizojë pozicionin ndërkombëtar të Maqedonisë, të bëjë disa hapa përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE, ose t’i shpenzojnë paratë për t’i njollosur kundërshtarët politikë, për të krijuar lajme të rrejshme dhe dezinformata, për ta minuar ekuilibrin ndëretnik, për të nxitur gjuhë të urrejtjes ose për t’i përkeqësuar marrëdhëniet me fqinjët. Duke pasur parasysh se deputetët në Kuvend, pa dallime të veçanta mes veti, i miratojnë ligjet për financimin e partive politike dhe për reklamimin politik gjatë zgjedhjeve, qytetarët kanë të drejtë që së paku ta përcjellin këtë proces në mënyrë sa më transparente”, thotë Georgievska.
Ajo shton se fakti që sipas Kodit Zgjedhor paratë për reklamim politik vazhdojnë tu ndahen portaleve online pa kurrfarë kriteri është një problem serioz, për të cilin ka reaguar edhe sektori joqeveritar mediatik dhe KEMM, por për momentin nuk ka ndonjë ndryshim të kësaj praktike.
“Transparenca e këtij procesi mund t’i ndihmojë shumë qytetarët, ndër të tjera, të “lexojnë mes rreshtave”, gjegjësisht që ata duke e ndjekur rrugën e parasë të kuptojnë pse media të caktuara favorizojnë një opsion politik të majtë apo të djathtë, pse e ndryshojnë shpesh kursin si në raport me skenën politike të brendshme, ashtu edhe në raport me atë ndërkombëtare”, thotë Georgievska dhe shton se shpeshherë ndodh që paratë publike të përdoren për financimin e mediave që shkaktojnë trazira mes votuesve mbi baza politike, etnike apo mbi ndonjë bazë tjetër, anojnë politikisht dhe i bëjnë punët e “pista” të politikanëve.
Zoran Trajçevski, drejtor i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA), thotë se edhe pas zgjedhjeve të 8 majit qëndrimi i institucionit dhe grupit punues që punonte për ndryshimet në Kodin Zgjedhor mbetet i njëjtë – financimi i mediave me paratë nga shteti duhet të ndërpritet.
“Në legjislacionin tonë portalet janë një zonë gri, nuk janë të rregulluara ligjërisht, prandaj kur bëhet fjalë për temën e financimit nga shteti ne vazhdimisht sillemi në rreth. Sa për rikujtim, për reklama partiake janë shpenzuar 10 milionë euro, para këto të taksapaguesve. Në mesin e tyre janë edhe portalet që janë hapur pak para zgjedhjeve, një portal merr tre herë më shumë para sepse ka kërkuar reklama për tre versionet gjuhësore, në maqedonisht, shqip dhe anglisht, etj. Nëse partitë do t’i jepnin paratë nga xhepat e tyre, natyrisht që nuk do t’i ndanin kështu”, thotë Trajçevski.
Të njëjtin qëndrim lidhur me këtë çështje ka edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut (SHGM). Drejtori ekzekutiv i SHGM-së Dragan Sekulovski thotë se shoqata për më shumë se 10 vjet avokon për heqjen e programit politik me pagesë nga buxheti i shtetit, sipas shembullit të disa vendeve të BE-së.
“Financimi i fushatave politike me para nga qytetarët krijon rrezik që disa nga partitë të ndikojnë në politikën redaktuese të mediave duke blerë hapësirë për propagandë partiake. Kjo jo vetëm që mund ta vendosë median në pozitë të varur, por mund t’i ekspozojë qytetarët ndaj përmbajtjeve të njëanshme përpara zgjedhjeve. Me heqjen e kësaj praktike do të zvogëlohet mundësia e keqpërdorimit të financave publike dhe mediat do të mund të punojnë në mënyrë të pavarur, me çka qytetarët do të marrin informacione të paanshme dhe objektive për procesin zgjedhor”, thotë Sekulovski.
Në listën e portaleve që ishin në listën e KSHZ-së këtë vit, kishte shumë të ndryshme, nga portalet e bukurisë dhe shëndetit, deri te portalet sportive, portalet që u krijuan para zgjedhjeve….
“Pjesa për atë se si mediat në përgjithësi, e sidomos portalet, gjenden në listën e reklamave nuk është mjaft transparente, sepse lejon që në atë listë të futen portale që nuk janë të regjistruara në domenin mk, që nuk kanë të dhëna për pronësinë, që nuk kanë impresum, ose nuk kanë të dhëna për botuesin apo redaksinë, që nuk janë portale klasike informative etj. Në këtë pjesë ka shumë paqartësi, ndërsa ne kemi hasur në situata ku aktivistë partiakë pak para zgjedhjeve kanë hapur portale me lajme të transkriptuara për një periudhë të shkurtër para zgjedhjeve, kanë marrë nga partia disa mijëra euro për reklama dhe i kanë mbyllur mediat pas procesit zgjedhor dhe pas përfundimit të pagesave”, thotë gazetari Goce Trpkovski nga portali Prizma.
Me këtë ndërlidhet edhe Sekullovski.
“Ndryshe nga televizionet ku ka rregulla strikte për matjet sasiore (sa minuta në orë) dhe cilësore të përmbajtjes politike, rregulla të tilla për mediat online nuk ekzistojnë në praktikë. Kjo u mundëson portaleve të caktuara të transmetojnë përmbajtje me pagesë vetëm nga një parti politike, duke shtrembëruar kështu ekuilibrin politik. Ka edhe raste kur partitë reklamojnë në portale që krijohen menjëherë para zgjedhjeve apo portale që nuk janë informative ose janë të regjistruara jashtë vendit. Kjo tregon se zgjidhja aktuale ligjore është e ndjeshme ndaj abuzimit dhe se nëse nuk ka vullnet politik për të hequr këtë koncept, atëherë nevojiten rregulla më të rrepta të financimit të fushatës për të shmangur abuzimet”.
Time, Alsat dhe Lajmpress me të hyra më të mëdha nga fushatat partiake për zgjedhjet parlamentare
Sipas hulumtimit që kemi bërë, më së shumti para nga zgjedhjet parlamentare kur bëhet fjalë për reklamat partiake në internet ka ose duhet të marrë grumbulluesi i lajmeve, Time.mk – rreth 35 mijë euro, ndërsa për edicionin online të Alsat dhe portalin e internetit Lajmpress, rreth 23 mijë euro.
Vërehet se edhe portalet në gjuhën shqipe, Almakos, PortaliX, Tetovasot kanë ose duhet të kenë të hyra më të mëdha të mjeteve se 15 mijë eurot e parapara me ligj, ndërsa te portalet në gjuhën maqedonase paraprijnë A1on, Infomax, Plusinfo, Off.net, 360 Gradë dhe portali i internetit Fokus.
Meta.mk do t’i analizojë të 150 portalet që kanë marrë para shtetërore nga arkat e partive, por në këtë rast i veçojmë ato në të cilat partitë/koalicionet kanë publikuar më shumë reklama parazgjedhore.
Kur bëhet fjalë për portalet online për zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 8 maj të këtij viti, më shumë para për fushatën zgjedhore ka shpenzuar koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE.
Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) deri më 4 shtator, "Maqedonia Jote" e VMRO-DPMNE-së në mediat online ka porositur reklama me vlerë prej mbi 255.000 euro, pas së cilës vjen Fronti Evropian me 203.000 euro, pastaj VLEN me 165.000 euro dhe " Për Ardhmëri Evropiane” e koalicionit të LSDM-së me 104.000 euro.
Këto janë katër koalicionet që kanë shpenzuar më shumë para në fushatë, ndërsa dallimi me paratë e shpenzuara nga partitë/koalicionet më të vogla është evident.
Rrugëtimi i gjatë për informacion për paratë nga shteti
Për t’i siguruar të dhënat se sa para janë shpenzuar për reklamimin e partive dhe koalicioneve për zgjedhjet parlamentare, rruga që duhej bërë ishte jashtëzakonisht e gjatë. Pothuajse dy muaj Meta.mk u mundua t’i sigurojë këto të dhëna duke e përdorur Ligjin për qasje të lirë në informacion me karakter publik, ndërsa institucionet u përgjigjën brenda afatit ligjor prej 20 ditësh, por prej tyre nuk kemi marrë të dhëna të plota.
Kështu në ueb-faqen e KSHPK-së mund të gjenden të dhëna, gjegjësisht raporte financiare vetëm për disa portale të caktuara online, ndërsa në raportet në ueb faqen e KSHZ-së, ESHR-së apo Ministrisë së Financave nuk ka raporte të njëjta, gjë që flet për një mospërputhje në mënyrën se si dorëzohen apo publikohen raportet.
Në favor të kësaj situate kaotike është edhe raporti i KSHPK-së i dorëzuar në Kuvend në të cilin thuhet qartë se “vonesa e pagesës mund të shkaktojë pasoja të rëndësishme, siç është cenimi i besimit të subjekteve politike dhe mediave në transparencën dhe efektivitetin e procesit zgjedhor”.
“Situata e këtillë nxjerr në pah nevojën për një planifikim dhe menaxhim më të mirë të burimeve financiare nga institucionet shtetërore, për të shmangur lëshime të tilla në të ardhmen”, thuhet në raportin e KSHPK-së.
Meta.mk tashmë e ka publikuar gjithë rrugëtimin e bërë për të arritur deri te raportet financiare të mediave online në lidhje me fushatën për zgjedhjet parlamentare – e përgjatë tij hasëm në dokumente të vendosura gabim, fletë të skanuara keq dhe një numër të madh raportesh të papublikuara në ueb-faqet e të katër institucioneve që janë përgjegjëse për publikimin e të dhënave publike në këtë segment.
Zgjidhje ka, por ka ngecur në labirintin parlamentar
Ligji i ri për Mediat u hartua në dhjetor të vitit 2023 nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë dhe u dorëzua në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA).
Këtë projektligj të ri e paraprinë konsultime të gjera me më shumë aktorë nga sektori mediatik. Në përputhje me standardet evropiane një ndër qëllimet themelore të projektligjit ishte krijimi i një regjistri publik të mediave online me qëllim parandalimin ose reduktimin e abuzimit të këtyre mediave nga partitë politike, përmirësimin e statusit socio-ekonomik të gazetarëve dhe punonjësve mediatik nëpërmjet prezantimit të mekanizmave kontrolluese, rritjes së transparencës për pronësinë e mediave dhe mbështetjes së pluralizmit mediatik për mbrojtjen e interesit publik.
Ligji është dorëzuar në Ministrinë e Shoqërisë Informative dhe Administratës (MSHIA) si përfitues kryesor i kësaj asistence teknike nga BE-ja në shkurt të këtij viti, ndërsa ministër ishte Azir Aliu, por nuk ka hyrë në procedurë parlamentare.
“Për të parandaluar keqpërdorimin e mjeteve publike nga mediat fantazmë dhe për të shmangur keqinformimin e qytetarëve për procesin zgjedhor, është e nevojshme të bëhen ndryshime urgjente në Ligjin për media për krijimin e një regjistri të mediave online në Maqedoni. Për këto ndryshime ligjore, SHGM-ja, SPGPM-ja dhe KEMM-ja i kanë theksuar vazhdimisht MSHIA-së si ministri kompetente, por qartësisht mungon vullneti politik për zgjidhje konstruktive ligjore”, njoftuan nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Këshilli Etik i Mediave në Maqedoni (KEMM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve Mediatik (SGPM), qysh në mars të këtij viti.
Ata theksuan se në kuadër të projektit “BE-ja për lirinë e shprehjes: harmonizimi i legjislacionit kombëtar për mediat me ligjin e BE-së dhe standardet evropiane të medias”, i mbështetur nga BE-ja, në MSHIA është hartuar dhe dorëzuar Ligji i ri për Media.
“Mungesa e vullnetit politik për miratimin e ligjit të ri për media (që ishte obligim deri në fund të vitit 2023) do të ndikojë negativisht në pozicionin e Maqedonisë në indekset botërore të lirisë së mediave. Theksojmë se miratimi i ligjit të ri për median në Kuvend, e më pas zbatimi i tij, do të garantojë pavarësinë e medias dhe të drejtat e gazetarëve dhe do të dëshmojë se MSHIA dhe Kuvendi janë të përkushtuar ndaj proceseve pozitive të integrimit evropian”, thanë tre shoqatat e gazetarëve.