Kumanova, Gostivari, Strumica, Kavadari dhe Struga – identifikuan drutë për ngrohje si burimin më të madh të ndotjes së ajrit
Djegia e druve për ngrohje është identifikuar si burimi më i madh i ndotjes në Kumanovë, Gostivar, Strumicë, Kavadar dhe Strugë u tha në një eveniment të organizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, gjaë të cilit u prezantuan rezultatet e një studimi mbi burimet e ndotjes së ajrit në pesë komunat, transmeton Portalb.mk.
Mexhiti theksoi se për të adresuar këtë problem, është e rëndësishme të kuptohen shkaktarët e ndotjes. Ai njoftoi se Ministria është e gatshme t’i ndihmojë komunat në planifikimin dhe zbatimin e masave efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
“Është e qartë se për të zgjidhur në mënyrë efektive ndotjen e ajrit, është thelbësore të kuptojmë rrënjët e problemit. Kjo është arsyeja pse jemi këtu për të dëgjuar nga ekspertët dhe akademikët rezultatet e analizës së thellë për zbulimin dhe identifikimin e burimeve lokale të ndotjes së ajrit, të cilat janë të një rëndësie të madhe për formimin e politikave, masave dhe veprimeve prioritare që janë urgjentisht të nevojshme në luftën tonë të përbashkët kundër ndotjes së ajrit,” tha Mexhiti.
Sipas përfaqësuesit të përhershëm të UNDP-së, Armen Grigorjan, ndotja e ajrit është një sfidë e rëndësishme për vendin dhe UNDP me mbështetjen financiare të Suedisë, po punon intensivisht për gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme.
“Në bashkëpunim me institucione dhe organizata të shumta, kemi bashkuar shkencën, dijen, mbështetjen institucionale, vizionin dhe optimizmin. Në vitin 2020, për herë të parë në Maqedoninë e Veriut, kryem një cikël të plotë studimesh. Duke përdorur pajisje moderne të financuara nga Suedia posaçërisht për këtë qëllim, materialet e mbledhura u analizuan dhe u përgatit studimi i parë i këtij lloji për shpërndarjen e burimeve në vend. Këtë vit, studimi u realizua në pesë komuna dhe rezultatet do të drejtojnë përpjekjet tona të ardhshme për përmirësimin e cilësisë së ajrit,” tha Grigorjan.
Rezultatet e marra nga një monitorim njëvjeçar dhe analizimi i më shumë se 1000 mostrave në të gjitha pesë komunat, treguan se djegia e biomasës (drurëve) për ngrohje është burimi më i madh, ndjekur nga trafiku dhe pluhuri mineral, të cilët kanë një ndikim më të madh gjatë muajve të verës.
Projekti është pjesë e Programit Kornizë të UNDP-së, i cili është financuar nga Suedia dhe përfshin projektin “Fuqizimi i kapaciteteve komunale për zbatimin e projekteve.
Kujtojmë se UNICEF-i në Evropë dhe Azinë Qendrore publikoi një dokument, ku thuhet se në vitin 2021 mbi 5.480 foshnja në 23 vende dhe territore në tërë Evropën dhe Azinë Qendrore kanë vdekur nga shkaqe të lidhura me ndotjen e ajrit. Në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e të porsalindurve nga ndotja e ajrit janë 11,6 përqind ose 1 në 9 vdekje të fëmijëve nën moshën njëvjeçare, informoi Zyra e UNICEF-it në Shkup.