Delegacioni i BE-së: Presim zëvendësimin e “Balancuesit”, theksojmë rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm të Marrëveshjes së Ohrit
E theksojmë rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm të Marrëveshjes kornizë të Ohrit e cila kërkon respektim të plotë të parimit të mosdiskriminimit dhe trajtimit të barabartë, veçanërisht në administratën publike, thonë nga Delegacioni i BE-së të pyetur për qëndrimin e tyre në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e “balancuesit”, raportoi MIA.
“Delegacioni i BE-së vëren vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Vendimi i gjykatës vjen pasi qeveria bëri të ditur qëllimet e saja për të reformuar sistemin dhe për të zëvendësuar balancuesin. Presim të shohim propozimet”, thonë nga Delegacioni i BE-së.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese më 9 tetor, me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit balancues, i cili deri tani ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk do të mbahet llogari për përkatësinë etnike.
Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse me të bëhen abuzime gjatë punësimit, sipas ish-kryetares të Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska, zbatimi i dispozitave ligjore të kontestuara kërcënon liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe qytetarit, shprehjen e lirë të përkatësisë kombëtare, përfaqësimin e duhur dhe të drejtë të qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve në organet e qeverisjes shtetërore dhe të institucioneve të tjera publike dhe të sundimit të ligjit të garantuar me dispozitat e Kushtetutës.