Ligji për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile kaloi filtrin e parë në Kuvendin e RMV-së

Në seancën e sotme të Kuvendit, me 61 deputetë votuan “për” që propozimi i Ligjit për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile të shqyrtohet në Kuvend në procedurë të shkurtuar. Zgjidhja ligjore është përgatitur nga një grup pune formal, me mbështetjen e Këshillit të Evropës dhe me të, në një procedurë të përcaktuar ligjërisht, prona e fituar në mënyrë të paligjshme do të konfiskohet nëse i pandehuri nuk provon se ajo vjen nga burime ligjore, transmeton Portalb.mk.

Pas këtij vendimi, zëvendëskryeministrja për politika të qeverisjes së mirë, Slavica Grkovska, e cila arsyetoi nevojë e miratimit të ligjit, pas votimit, përshëndeti në Facebook vendimin e deputetëve.

“Në thelb, Ligji për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile duhet të jetë një vlerë e shtuar për mekanizmat ekzistues ligjorë për konfiskim. Qëllimi është të tregohet se korrupsioni dhe krimi janë të padobishëm dhe se çdo gjë që fitohet në rrugë kriminale do t’u kthehet qytetarëve. Më vjen keq që kjo është e qartë për një matematikan, i cili ka lexuar shumë literaturë jomatematikore, por jo për juristë, të cilët duhet të jenë avokatë të respektimit të ligjit dhe Kushtetutës, e jo përfaqësues të atyre që kanë bërë padrejtësi”, shkroi Grkovska.

Ligji paraprakisht është dërguar edhe për mendim në Komisionin Evropian. Pas 20 ditësh mundësi për të dërguar dhe shqyrtuar vërejtjet dhe sugjerimet për propozim-ligjin, i njëjti iu dërgua Qeveri për miratim, ndërkaq tani pritet votimi definitiv në Kuvend.

Zëvendëskryeministrja për Politika për Qeverisje të Mirë, Sllavica Grkovska, në diskutimin e sotëm publik theksoi se ky ligj e mbron interesin publik.

Hartimi i propozim-ligjit për konfiskim të pronës në procedurë civile ka filluar të hartohet në bazë të studimit të fizibilitetit dhe analizës së gjendjes dhe modeleve të konfiskimit në sistemet moderne juridike, e cila ishte e përgatitur në bashkëpunim mes Kabinetin për Politika dhe Qeverise të Mirë dhe Këshillit të Evropës. Në bazë të kësaj, grupi formal i punës e ka përgatitur ligjin për të cilin sot u mbajt diskutimi publik. Përgatitja e zgjidhjes së re ligjore tanimë është pjesë e Udhërrëfyesit – Qeverisje e mirë, nga Klasteri 1 – Themelet dhe për këtë ekzistojnë afate, realizimin e të cilës do ta ndjek Komisioni Evropian.

Kujtojmë se kërkesa për konfiskimin dhe evidentimin e pronës së zyrtarëve të korruptuar, ka bërë në vazhdimësi edhe Komisioni Evropian, dhe të njëjtën e përsëriti edhe në raportin e 19 tetorit të vitit të kaluar. Në të thuhet se në vitin 2020, konfiskimi i pasurive kriminale është zbatuar ndaj 41 personave në 19 raste në aktgjykime të shkallës së parë. Sipas raportit, konfiskimi i pasurive kriminale duhet të bëhet përparësi strategjike në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit të nivelit të lartë në vend. Mjetet e vendit për ngrirjen, menaxhimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale sipas BE-së nuk janë mjaft efektive, prandaj nevojitet një fokus i vërtetë për të ardhurat kriminale të personave publik.