Ku mbetën zëvendësministrat? Javën e ardhshme pritet takimi VLEN – Mickoski

Tre muaj pas rikonstruimit të Qeverisë ku pati rotacion të ministrave, e njëjta nuk ka ndodhur ende me zëvendësministrat, ndonëse u përmend shumë shpesh. Javën që vjen pritet të takohen partnerët e koalicionit qeverisës dhe të diskutojnë për këtë, shkruan Portalb.mk.

Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme pritet të mbahet takimi i radhës me kryeministrin Hrisitjan Mickoskin.

Ai tha se në takim pritet të diskutohen çështje që lidhen me plotësimin dhe zëvendësimin e zëvendësministrave, si dhe me emërimet në pozitat e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në institucionet ku ka nevojë për plotësim ose zëvendësim të tyre.

“Besoj që brenda javës tjetër do të jetë takimi i radhës me kryeministrin dhe njëherësh kryetarin e VMRO-së si partner të koalicionit, ku do të bashkëbisedojmë për këto tema, pra edhe për zëvendësministrat dhe plotësimin dhe zëvendësimin e zëvendësministrave, por njëherësh edhe për çështjet e tjera, më konkretisht për drejtorët dhe zëvendësdrejtorët, aty ku duhet plotësuar dhe aty ku duhet të bëhet zëvendësimi i tyre”, tha Kasami.

Kujtojmë se ditë më parë dha dorëheqje zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski.

Ndryshe, në korrik, Kuvendi i zgjodhi tetë ministrat e rinj si pjesë e riorganizimit të qeverisë të propozuar nga kryeministri Hristijan Mickoski.