Ligjërimi, inteligjenca artificiale dhe Foucault (II)

Artikulli i Justin Wienberg nga Princeton-i, “Teaching Humanities in the AI Era: Is this the Bargaining or the Acceptance Stage?” (Të ligjërosh shkencat humanitare në epokën e IA: Fazë e pazarllëkut apo e pranimit?, 2025) dëfton se mësimdhënia e sodit, në epokën e IA-së kalon nga pazarllëku nëse duhet integruar këtë tool në procesin edukativ, te pranimi i plotë i realitetit të ri duke u përshtatur, duke pranuar që inteligjenca artificiale e ka ndryshuar përgjithmonë peizazhin edukativ-arsimor dhe duke kërkuar mënyra për të ecur përpara në mënyrë produktive.

Këtë normalitet të ri më së miri e shpreh Gayatri Chakravorty Spivak nga Universiteti Columbia: “Nuk mund t’i detyrosh më studentët të lexojnë apo të shkruajnë. Atëherë çfarë mbetet? Vetëm kjo: jepu punë që duan ta bëjnë. Dhe ndihmoi ta duan atë. Çfarë është pra, arsimi? Riorganizimi jo-dhunues i dëshirës (non-coercive rearranging of desire).” Sa ekstreme ama sa reale është kjo? Të mos i detyrosh të lexojnë e të shkruajnë, t’ua gjesh atyre pikë ku ata kënaqen në procesin arsimor, t’ua detektosh dëshirat dhe pasionet e tyre dhe në bazë të asaj të ngjallësh edhe mësimin, mësimnxënien dhe kreativitetin që do t’u shërbejë në të ardhmen. Arsimi gjithnjë e më tepër duhet të bëhet funny, zbavitës, përndryshe dështon keqaz.

Konteksti i ri i shkollimit është ekstremisht i ndryshëm nga ai i dikurshmi. Na kohën arsimit të bazuar në IA (AI-driven education) s’ka më artefakte që i monopolizon ligjëruesi. Është kjo koha e vorbullës, kur afektohen dinamikat e pushtetit, të vlerësimit dhe survejimit të dijes. Teoria mbi qeverisshmërinë mëson se si institucionet drejtojnë sjelljen dhe formësojnë prodhimin e dijes.

Dikur sistemet arsimore shfrytëzoheshin për të vëzhguar, rregulluar dhe trajtësuar përvojat mësimore të nxënësve apo studentëve (Kikerpill & Siibak, 2023), ndërsa sot këto dy kategori dijekërkuese janë pavarësuar tepër në këtë drejtim, duke refuzuar çdo imponim ekstern të autoriteteve që dita ditës po zbehen dhe relativizohen në sytë e tyre.

“Zbatimi i teknologjive të inteligjencës artificiale në arsim revolucionarizon proceset e gjenerimit dhe shpërndarjes së dijes. Përdorimi i printimit 3D mundëson përvoja ndërvepruese arsimore dhe krijimin efikas të prototipeve, duke ndikuar kështu në shfaqjen dhe përhapjen e diturisë (Anđić et al., 2023). Integrimi i teknologjisë blockchain mundëson decentralizimin e platformave të të nxënit dhe verifikimin e kredencialeve, duke ndikuar në besueshmërinë dhe qasjen ndaj programeve arsimore (Any et al., 2024). Qasjet pedagogjike dhe rezultatet e të nxënit ndikohen nga mënyrat e reja të përvetësimit të dijes dhe simulimeve që ofrohen nga studiot e realitetit virtual” (Kabanda et al., 2022, në Twabu, 2024).

Koncepti i Michel Foucault për pushtetin dhe dijen i referohet idesë se pushteti dhe dija janë të pandashme — kush kontrollon dijen, ushtron edhe pushtet, dhe pushteti formëson atë që pranohet si dije. Në vend që ta shihte pushtetin vetëm si shtypës, Foucault argumentoi se pushteti prodhon dijen, dhe se dija, nga ana tjetër, forcon strukturat e pushtetit. Filozofi dhe kritiku letrar francez në fjalë shpjegon se si medikalizimi dhe centralizimi në akademi, universitete, spitale dhe burgje lejuan që dijenia të kontrollohej, të normalizohej dhe të transmetohej tek popullata. (López, 2024) /vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.