Ligjërimi, inteligjenca artificiale dhe Foucault (I)

Tema që trajtojmë sot burimin e ka te një segment praktik dhe pragmatik, gjegjësisht te sfidat akademike me të cilat përballemi si mësimdhënës universitar dhe si prind. Nga maxi-liberalizimi i arsimit deri te sadizmi profesorial në disa fusha që studentët i shtyn të ballafaqohen me vështirësi sizifiane studimi që do duhej të ishin e kaluar, histori. Ende ka ankthe nga dinosaurët e shkollarisë në kohë industrisë 3.0 apo të revolucionit informatik.

Pra çështja është si të gjendet optimalja në një kohë të makro-lëkundjeve në sferën e arsimit. Vetë, shpesh gjatë elaborimit të ligjëratës së radhës na kaplon droja dhe dilemat nëse jemi në frekuencë apo të saktë në atë që e themi ngase çdo student e ka “check” mekanizmin në dorë, pra celularin ose tabletin me të cilin mund të të nxjerrë që – shprehur me gjuhën e futbollit – ke dalë në “offside”. Si të ligjërohet në këto rethana, si të tërhiqet vëmendja e studentit kur ai para vetes në çast mund të arrijë atë që ti ia shpjegon për 45 minuta e më tepër, edhe atë me vizualitet të fotove dhe video që janë shumë më ilustrative dhe më atraktive.

Power point-i ka qenë një stërvitje e mirë në 15-20 vitet e fundit por edhe ai po bëhet demode, e humb dinamizmin që e kishte dikur para furtunës digjitale. Në këtë kontekst i lëmë mënjanë ngulmimet e disa ligjëruesve të pabërë update që edhe në vitin 2025 leksionet t’i mbajnë ex-catedra; ato janë goditje me kokë murin ose kundërshtim i ligjit të gravitetit të shoqërisë informatike, të tik-tok gjeneratës, kur durimi rinor konsumohet shpejtë.

Problem i mësimdhënies efektive është prezent në të gjitha fushat shkencore, por në veçanti në ato sociale dhe humanitare që përfshijnë një spektrum si historia, gjeografia, sociologjia, ekonomia, filozofia е të tjera. Në kohën e inteligjencës artificiale të shek. XXI që po revolucionarizon jetën e njerëzve, në të gjitha dimensionet, të mbash mësim para një brezi super të njoftuar me IT-në është një mision goxha djersitës dhe kërkues, kuptohet për atë që vë gishtin në kokë. S’ka më formula të tipit “ja libri, qe skripta, aty është materiali, shihemi në provim”.

Nuk kalojnë autoritarizma të tillë. Ky është realitet, ndaç e pranojmë, ndaç s’e pranojmë. As shkolla, as universiteti nuk janë më të dikurshmit. Disiplina dëgjuese dhe vullneti absorbues i recipientit kanë rënë ekstremisht. Ka përjashtime të individëve juvenilë që janë ishuj të dikurshmërisë, por shumica absolute është e orientuar nga të mësuarit alternativ, me funny learning, me mësimdhënës ose pa të, madje ka edhe të atillë që anojnë nga homeschooling.

Pra kursi i mësimdhënies duhet të ndryshojë se s’bën. Si të bëhet mësimdhënësi forcë manjetike në këtë epokë të virtualitetit? Si të transformohet? Si të mos bëhet i bezdisshëm me njohuritë që ka në një lëmi? Duhet të shndërrohet në instruktor që ligjëron prej jashtë (përcjellë dije), apo të nxitë rritjen nga brenda (zhvillimi i potencialit), ngjashëm me mënyrën se si një bujk kultivon një bimë, duke krijuar kushtet e duhura që ajo të rritet vetë?

Inteligjenca artificiale është kulminacioni i çështjes akademike. ChatGPT, MIcrososft copilot, Google Gemini, Claude, Mistral AI, Poe.com, Perpexlity janë platforma që të lënë pa tekst, që ofrojnë njohuri që kapërcejnë inteligjencën humane në shumë aspekte dhe që shumë teknika të ligjërimit dhe të mësimnxënies i nxjerrin jashtë përdorimit.

Për shembull disa mësimdhënës dhe gazetarë (Marche, 2022) e kanë shpallur kategorinë e esesë si “të vdekur (“essay is dead”). Disë të tjerë kumtojnë se tanimë nuk mund të dihet nëse shkëlqimi i një eseje vjen nga studenti ose IA. Po detyrat e kursit apo punimet seminarike që dikur përgatiteshin me ditë të tëra mbi tavolinë shtëpie apo biblioteke? E vërteta është se rrezikohen bile edhe tezat apo disertacionet. Sot në shënjestër është edhe paradigma e promovuar nga filozofët dhe eticienët për sjelljen etike dhe shprehitë epistemike, për kulturën e huazimit racional dhe të ndershëm nga burimet e të tjerëve. /vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre