Ligjëratë me studentët, Elida Zylbeari: Gazetaria konstruktive është rruga për rikthimin e besimit te mediat
Sot, në ambientet e Universitetit të Evropës Juglindore, kryeredaktorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari, zhvilloi një ligjëratë interaktive me studentët e vitit të dytë të drejtimeve të ndryshme, duke u fokusuar te gazetaria konstruktive si mjeti kyç për të ardhmen e medias në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkan.
Gjatë këtij takimi, ajo theksoi se po përballemi me një krizë besimi ndaj mediave ku publiku po distancohet nga konsumimi i lajmeve për shkak të përmbajtjeve gazetareske që nuk janë kualitative dhe janë senzacionaliste.
“Kështu ndodh dhe fenomeni i “News Avoidance”, ku njerëzit nuk i ndjekin lajmet sepse në to ka përmbajtje që i bën ata të ndihen të painformuar, të pashpresë si dhe të polarizuar.” tha ajo.

Zylbeari ua shpjegoi studentëve se gazetaria konstruktive është një gazetari kritike, objektive dhe e balancuar që fokusohet te zgjidhjet, jo vetëm te problemet, duke iu përgjigjur tri pyetjeve bazë: “Çfarë?, Pse?, dhe Tani çfarë?”. Duke sqaruar mitet që rrethojnë këtë fushë, ajo nënvizoi se kjo formë raportimi nuk është të publikosh “lajme pozitive” pa substancë, as propagandë apo PR për institucionet, as naive dhe as aktivizëm politik.
Një pikë kyçe e ligjëratës ishte ndryshimi i këndvështrimit, duke kaluar nga pyetja “Kush ka faj?” te pyetja “Çfarë dhe si duhet bërë?”. Përmes shembujve praktikë, si rasti i storjes së dhunës mes nxënësve, e cila dhe mori çmim për storje më të mirë rajonale, u tregua nevoja për të mbuluar nuancat dhe për të evituar stereotipizimin apo thjeshtëzimet e tepërta “bardhë e zi”.

Ajo vuri theksin te parimi që nënkupton “të shohësh problemin, por edhe potencialin për ndryshim brenda të njëjtit”.
Gjatë ligjëratës u diskutua edhe roli i medias si një urë që nuk duhet të shërbejë si mjet për thellimin e ndarjeve, por si mision për t’i kthyer vendimmarrësit te diskutimi për zgjidhje të problemeve. Për studentët u prezantuan hapat konkretë që duhen ndjekur: identifikimi i problemit, kërkimi i zgjidhjes duke parë se kush po punon në atë drejtim, analiza e provave për të parë nëse zgjidhja funksionon vërtet, shtimi i nuancave për të treguar pengesat dhe nxitja e dialogut mes publikut dhe vendimmarrësve.
Në fund, u shtjellua dhe roli i Portalb.mk si një platformë që synon raportimin që shkon përtej interesit për klikime dhe ka llogaridhënien institucionale si pikënisje.

“Përfshirja e qytetarëve është thelbësore për t’i bërë ata pjesë të vendosjes së agjendës publike.” tha Zylbeari.
Ajo i porositi studentët që të punojnë drejt një gazetarie që nuk evidenton vetëm gabimet, por ofron rrugëdalje konstruktive për shoqërinë.