Qeveria e Maqedonisë së Veriut vazhdon ta shpërfillë gjuhën shqipe, gati një vit asnjë procesverbal në shqip

Procesverbalet nga mbledhjet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të mos përkthehen në gjuhën shqipe dhe të mos jenë të qasshme për opinionin. Në ueb-faqen e qeverisë mbi 80 procesverbale nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe, shkruan Portalb.mk.

Procesverbali i fundit i përkthyer në gjuhën shqipe është i datës 19 shtator 2025. Që atëherë, pra 11 muaj apo gati se një vit, në kategorinë e procesverbaleve në gjuhën shqipe nuk figurojnë madje as seancat e mbajtura deri më tani, dhe që në numër janë 83.

Foto: Printscreen nga ueb-faqja e Qeverisë së RMV-së
Foto: Printscreen nga ueb-faqja e Qeverisë së RMV-së

Përbërja aktuale e qeverisë deri më tani ka mbajtur 193 seanca, mungesë të procesverbaleve ka edhe në gjuhën maqedonase për 25 seancat e fundit, i fundit i publikaur është më 5 qershor.

Foto: Printscreen nga ueb-faqja e Qeverisë së RMV-së
Foto: Printscreen nga ueb-faqja e Qeverisë së RMV-së

Portalb.mk e pyeti Qeverinë se pse nuk i përkthejnë procesverbalet në shqip dhe pse ka mungesë të tyre edhe në gjuhën maqedonase, por Qeveria heshti, nuk u përgjigj në pyetjet gazetareske.

Ndërkaq dje, Sindikata e Gazetarëve doli me reagim se Qeveria e Maqedonisë së Veriut po krijon praktikë ku sistematikisht nuk u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.

Portalb.mk edhe para disa muajve e trajtoi këtë çështje ku i pyetëm direkt dy ish-zëvendëskryeministrat e VLEN-it, Arben Fetain dhe Izet Mexhitin, megjithatë pavarësisht se ata pretendonin se procesverbalet ishin edhe në shqip realiteti nuk ishte ashtu.

Përndryshe, në rast të mos zbatimit të Ligjit për Gjuhët parashikohen gjoba materiale për institucionet dhe për individë fizikë. Mirëpo sanksionet të tilla nuk shqiptohen. Pra, ligjet ekzistojnë vetëm në letër.

Neni 22
(1) Gjobë në shumë prej 4.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë me denarë për kundërvajtje do t’u shqiptohet organeve të theksuara në nenin 1 paragrafi (3), nenin 2 paragrafi (3), si dhe të gjitha institucioneve tjera për mosrespektimin e dispozitave të këtij ligji.

(2) Gjobë në shumë prej 30% të gjobës së përcaktuar do t’i shqiptohet personit zyrtar dhe personit përgjegjës në organet nga paragrafi 1 i këtij neni.

Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, neglizhente ndaj gjuhës shqipe ishte edhe gjatë pandemisë së Koronavirusit. Në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë të dhënat në gjuhën shqipe në disa raste nuk figuronin aspak e në disa raste nuk ishin të kompletuara ose nuk ishin të plotësuara dhe të përditësuara.