Ligj për Gjykatën Kushtetuese apo ndryshim në Kushtetutë dhe saktësim i neneve?
Nga Fronti Evropian, nismëtarët e iniciativës për interpelacion ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, i referohen së drejtës së tyre të garantuar në nenin 72 të Kushtetutës. Nga Gjykata Kushtetuese theksojnë se as deputetët, as askush tjetër nuk ka të drejtë të paraqesë iniciativa kundër gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, pasi në nenin 111 të Kushtetutës është qartë përcaktuar nën cilat kushte mund të përfundojë mandati i një gjykatësi kushtetues. Duke qenë se këto qëndrime diametralisht të kundërta mund të shkaktojnë dezinformime në hapësirën publike, në kuadër të rubrikës “Konteksti” paraqesim të dy nenet e Kushtetutës dhe dilemave ekzistuese, shkruan Vërtetmatësi.
Shkruan: Teofil Blazhevski
Deputeti Ilir Hasani nga koalicioni BDI – Fronti Evropian, në iniciativën e dorëzuar për interpelacion ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski (04.06.2025), thekson se propozimi ndaj kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, bazohet në nenin 72, paragrafët 1 dhe 2 të Kushtetutës së RMV-së.
Nëse lexojmë këtë nen të Kushtetutës, Hasani, formalisht, ka të drejtë.
Interpelacioni mund të ngrihet për punën e çdo bartësi të funksionit publik, Qeverinë dhe secilin anëtar të saj veçmas, si dhe për çështje dhe punë të organeve shtetërore.
Interpelacion mund të paraqesin të paktën pesë deputetë.
Çdo deputet mund të parashtrojë pyetje deputetësh.
Mënyra dhe procedura për paraqitjen dhe shqyrtimin e interpelacionit dhe pyetjes deputetësh rregullohen me Rregulloren e Kuvendit.
Në kundërshtim me këtë, Gjykata Kushtetuese i kujtoi mediave se tashmë kanë dhënë një qëndrim për mundësinë e interpelancës ndaj një gjykatës kushtetues dhe se Kushtetuta nuk parashikon një gjë të tillë:
Në të kundërtën, humbet kuptimi i Gjykatës Kushtetuese dhe bëhet shkelje e rëndë e Kushtetutës, sepse në atë mënyrë ndërhyhet në pushtetin e katërt, atë të quajtur kushtetues-gjyqësor, në pavarësinë dhe autonominë e Gjykatës Kushtetuese. Arsyeja për përfundimin e funksionit të gjykatësit kushtetues është e parashikuar në nenin 111 të Kushtetutës. Çdo procedurë apo veprim i ndërmarrë jashtë kësaj dispozite kushtetuese do të përbënte shkelje të rëndë të Kushtetutës, si dhe shkelje të garancive kushtetuese për autonominë dhe pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese – thuhet në qëndrimin që transmetuan disa media.
Nëse shikohet neni 111 i Kushtetutës, del se Gjykata Kushtetuese është në të drejtë kur pretendon se nuk ka bazë për iniciativën e dorëzuar nga Fronti Evropian:
Funksioni i gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese nuk është i lidhu me ushtrimin e ndonjë funksioni tjetër publik dhe profesioni, ose me anëtarësimin në një parti politike.
Gjykatësitt e Gjykatës Kushtetuese gëzojnë imunitet. Për imunitetin e tyre vendos Gjykata Kushtetuese.
Gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese nuk janë të detyruar të kryejnë shërbim në forcat e armatosura. Funksioni i gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese përfundon nëse ai jep dorëheqje.
Gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese do të shkarkohet nga detyra nëse dënohet me një dënim të pakushtëzuar me burg prej së paku gjashtë muajsh ose nëse humb në mënyrë të përhershme aftësinë për të ushtruar funksionin e tij, çka përcaktohet nga Gjykata Kushtetuese.
Duhet të merret parasysh se kompetencat e Gjykatës Kushtetuese rrjedhin ekskluzivisht nga Kushtetuta, pasi nuk ekziston një ligj i veçantë për Gjykatën Kushtetuese, dhe gjykata punën e saj e kryen sipas një rregulloreje të veçantë të quajtur Akti i Gjykatës Kushtetuese.
Deputeti Hasani bazohet në fjali të parë të nenit 72, se interpelacion mund të parashtrohet “për punën e çdo bartësi të funksionit publik”, ndërsa Gjykata Kushtetuese i referohet pozitës specifike dhe thekson se “në atë mënyrë bëhet ndërhyrje në pushtetin e katërt, kushtetues-gjyqësor, në autonominë dhe pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese”, si dhe në dispozitat strikte të nenit 111 të Kushtetutës.
Edhe pse argumentet e Gjykatës Kushtetuese kanë peshë më të madhe në interpretimin e Kushtetutës sesa interpretimi i deputetit, për faktin se kjo çështje nuk është ngritur për herë të parë, lind pyetja nëse ka nevojë për saktësim të këtyre nenëve ose për miratimin e një Ligji të veçantë për Gjykatën Kushtetuese. Këtë dilemë e kanë ngritur në disa raste edhe gjykatësit aktual dhe ish-gjykatësit, si dhe ekspertë të së drejtës kushtetuese. Në këtë drejtim është mbajtur edhe një debat në vetë Gjykatën Kushtetuese, dhe një nga mbështetësit e hapur të kësaj ideje është vetë Kostadinovski.