Lidhja Shqiptare e Ziadin Selës sot do të mbajë kongresin e partisë
Deputeti i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut dhe ish-kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, sot do të mbajë kongresin e partisë në Tetovë. Sela në muajin mars kishte njoftuar formimin e partisë së re “Lidhja Shqiptare“, transmeton Portalb.mk.
“Kongresi V-të i partisë do të mbahet më 31 maj (e diel), ora 12:00 në Qendrën për Kulturë në Tetovë. Kongresi do të jetë tërësisht i hapur, si në pjesën solemne ashtu dhe në atë të punimeve”, njoftuan nga Lidhja Shqiptare.
Sot pritet të zgjedhet kryetari i partisë, i cili do të mbajë fjalim para të pranishmëve.
Ziadin Sela në fund të muajit mars njoftoi se betejën për Aleancën për Shqiptarët do ta vazhdojë në Gjykatën e Apelit. Ai theksoi se ka themeluar parti rezervë, që sipas tij, do t’i lejojë të garojë në zgjedhje pa u varur nga vulat e partive të tjera.
Pas ndarjes me Taravarin, para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në vitin 2024, krahu i Aleancës për Shqiptarët i udhëhequr nga Zijadin Sela ishte pjesë e koalicionit “Fronti Evropian”, të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), i cili më pas u riemërua “Aleanca Kombëtare për Integrim” (AKIA). Në dhjetor të vitit të kaluar, në një mbledhje të kryesisë së partisë, krahu i Selës vendosi të largohej nga koalicioni AKI, dhe që deputetët e saj në Kuvend të vepronin si grup i pavarur.
Në muajin mars, siç thotë krahu i Selës, Gjykata Themelore në Tetovë mori vendim politik dhe të cilin e konsiderojnë si një atentat ndaj një partie politike shqiptare që “për vite me radhë ishte një faktor i madh në skenën politike në vend dhe një mbrojtëse e fuqishme e kauzës kombëtare shqiptare”.
- LEXO: Sela: Krijova parti, që mos të varem nga vulat e partive të tjera në zgjedhje, betejën për ASH-në do ta vauzhdoj në Apel
- LEXO: Ziadin Sela: Kam krijuar parti të re politike, quhet “Lidhja Shqiptare”
- LEXO: Gjykata e Tetovës vendosi për fatin e ASH-së: Taravari kryetar legjitim i partisë (Dokument)
- LEXO: Një Aleancë për Shqiptarët, dy fronte: Procesi për vulat ende në gjykatë, dy grupet në “luftë” me njëra tjetrën
- LEXO: ASH krahu i Selës thotë se gjykata vendosi që ai të jetë kryetar i partisë, Taravari: Vulat ia japin BDI-së