Lëvizja e Izet Mexhitit i përcaktoi dy koordinatorë nga qytete të ndryshme
Lëvizja Demokratike e cila është në proces të themelimit si nismë e Izet Mexhitit, ka përcaktuar dy koordinatorë nga qytete të ndryshme. Ata ftojnë qytetarët e interesuar të bëhen pjesë e kësaj Lëvizje, transmeton Portalb.mk.
“Sot, zyrtarisht emërojmë Muamet Demirin, koordinator të Lëvizjes Demokratike për qytetin e Ohrit, përndryshe ekspert në fushën e financave dhe ekonomisë dhe Mesud Jakupin koordinator të Lëvizjes Demokratike për Karshiakën, kuadër i diplomuar në fushën e shkencave kompjuterike”, sqarojnë nga Lëvizja Demokratike.
Ata theksojnë se më dy koordinatorët dëshirojnë të tregojnë se janë për politika me kuadro të pastra, profesionale dhe cilësore.
Ndryshe, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në skenën politike do të kenë edhe një subjekt të ri politik, subjekt i cili do të quhet Lëvizja Demokratike. Aktivitetet për themelimin e subjektit të ri politik në Maqedoninë e Veriut i filloi Izet Mexhiti në hapësirat e Komunës së Çairit. Aty ai ishte i shoqëruar ndër të tjera edhe nga deputeti Kastriot Rexhepi, deputetja Merita Koxhaxhiku, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe personalitet tjera.
Mexhiti pas paralajmërimit për themelimin e subjektit politik, ka zhvilluar takim me kryetarin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, dhe kryetarin e Alternativës, Afrim Gashin. Pas takimit të tre politikanëve, ata bënë të ditur se kanë biseduar për krijimin e një fronti të përbashkët opozitar si një domosdoshmëri në skenën politike shqiptare.
- LEXO: Subjekti më i ri politik te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut do të quhet Lëvizja Demokratike
- LEXO: Hoxha dhe Bajrami u larguan nga Besa, paralajmëruan formimin e një partie të re politike
- LEXO: Besa mbeti me një deputet më pak në Kuvend, Bastri Bajrami tani e tutje do të veprojë si i pavarur
- LEXO: Mexhiti, Besa dhe Alternativa synojnë formimin e “frontit opozitar”
- LEXO: Izet Mexhiti me dy deputetë dhe një kryetar komune i filloi aktivitetet për themelimin e subjektit të ri politik në Maqedoninë e Veriut
- LEXO: Tkurret shumica parlamentare në Maqedoninë e Veriut