Mickoski lidhet me aq skandale financiare sa të gjithë zëvendësit e tij së bashku
Kryeministri Hristijan Mickoski është i lidhur me katër skandale financiare. Izet Mexhiti, Arben Fetai dhe Ivan Stoillkoviq nuk janë të lidhur me asnjë skandal. Aleksandar Nikolloski u akuzua për një skandal korrupsioni në Azerbajxhan. Në vitin 2010 Lupço Dimovski përdori paratë publike për të paguar argjendaritë, luleshitës, agjenci udhëtimesh dhe hotele me pesë yje, transmeton Portalb.mk nga Scoop.
Qeveria e Hristijan Mickoskit ka pesë zëvendës. Izet Mexhitin, Aleksandar Nikolloskin, Arben Fetain, Ljupço Dimovskin dhe Ivan Stoilkoviqin.
Mexhiti është zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë dhe ministër i mjedisit jetësor dhe i planifikimit hapësinor, Nikolloski është zëvendëskryeministër i Qeverisë dhe ministër i transportit, Fetai është zëvendëskryeministër i Qeverisë dhe i ngarkuar për qeverisje të mirë, Dimovski është zëvendëskryeministër i Qeverisë për sistemet politike, ndërsa Stoilkoviq është zëvendëskryeministër i Qeverisë dhe ministër për marrëdhëniet midis komuniteteve.
Kryeministri, Hristijan Mickoski posedon pronë me vlerë të përgjithshme prej 506.036 euro.
Ai disa herë është akuzuar për atë se ka prona që nuk i deklaron.
LSDM-ja e akuzoi kryeministrin se ka blerë dhe ka renovuar shtëpi në Kozle, e cila ka vlerë prej një milion euro.
Madje edhe kryetari i komunës së Karposhit dhe kryetar i GROM-it Stevço Jakimovski vjet kërkoi përgjigje nga Mickoski për atë se si i ka fituar pronat në vitet e fundit.
Jakimovski i kërkoi të tregonte sa vjeç ishte kur e ndërtoi hidrocentralin e tij të parë dhe fitoi pronë me vlerë prej miliona eurosh dhe nëse e kishte fituar para apo gjatë pozitës së tij si drejtor i ELEM-it.
Edhe Infomax e analizoi fletën e tij anketuese, e pastaj e parashtruan publikisht pyetjen se si i ka blerë kryeministri orët me vlerë prej 60.000 euro.
Në një analizë tjetër ata shkruajnë se shtëpia të cilën ai e ka deklaruar në vitin 2017 kur ka qenë drejtor i ELEM-it ka pasur një vlerë prej 350.000 euro, ndërsa tani si kryeministër ka deklaruar se ajo vlen 437.200 euro.
“Gjëja e parë që është dashur ta vënë re në KSHPK menjëherë pas dorëzimit të fletës anketuese është dallimi në vlerën e shtëpisë të cilën e ka deklaruar Mickoski. Siç thamë, vlera rritet për rreth 90 mijë euro krahasuar me fletën anketuese të mëparshme. Të sqarohemi, që të mos ketë konfuzione të llojit “vlera e pronës rritet, rriten çmimet e pasurive të patundshme”. Në fletën anketuese çdo zyrtar plotëson se çfarë pasurie zotëron, si është fituar dhe sa vlen. Kur prona fitohet me kontratë shitblerjeje, si vlerë shënohet shuma e kontratës së shitblerjes, jo vlera e vlerësuar e pronës. Kjo do të thotë se Mickoski, i cili e ka blerë shtëpinë në vitin 2014 për 350.000 euro, sa herë që duhet ta plotësojë një fletë anketuese, ai duhet ta plotësojë të njëjtën shumë dhe ta bashkëngjisë si dëshmi të njëjtën kontratë për shitblerje”, thuhet në tekstin e tyre.
Sa i përket zëvendësve të tij, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i ekologjisë, Izet Mexhiti, në fletën anketuese si ministër ka deklaruar pasuri në vlerë prej 171.691 euro.
Pas tij vjen ministri i transportit Aleksandar Nikolloski, pasuria e të cilit kap vlerën prej 151.219 eurove, prej të cilave rreth 65.000 euro vlen vetëm makina e tij dhe e ajo e bashkëshortes. Ai lidhet me një skandal korrupsioni me disa nga anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) dhe aktivitetet e tyre politike në Azerbajxhan.
Që të cilësohen zgjedhjet në Azerbajxhan si të ndershme dhe demokratike, disa nga deputetët kanë marrë para, bizhuteri, qilima të shtrenjtë, fjetje në hotele luksoze në Baku dhe Stamboll, e shumëçka tjetër. Kjo veçanërisht për deputetët që ishin pjesë e misionit vëzhgues të zgjedhjeve në Azerbajxhan në vitin 2013 dhe vitin 2015, si dhe në referendumin e vitit 2016.
Pjesë e atij misioni dhe në një rast edhe shef i misionit ishte edhe deputeti nga radhët e VMRO-DPMNE-së Aleksandar Nikolloski. Pikërisht nënkryetari i Hristijan Mickoskit ka qenë ndër ata që i kanë cilësuar proceset si të drejta dhe demokratike. Aleksandar Nikolloski ka thënë se gjithçka është në rregull, por sipas organizatave dhe institucioneve të njohura ndërkombëtare ato janë cilësuar si jolegjitime dhe represive”, thuhet në njoftimin e atëhershëm të LSDM-së.
Për këtë asokohe shkruante edhe “Slloboden peçat“.
Nuk ka asnjë skandal në media lidhur me zëvendëskryeministrin përgjegjës për qeverisje të mirë, Arben Fetai, pasuria e të cilit ka një vlerë prej 3.025.399 eurove dhe që është më i pasur se Mickoski dhe zëvendësit e tjerë.
Ai ka dy shtetësi, krahas asaj të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në biografinë e tij të dorëzuar në Kuvend thuhet se ka edhe shtetësi belge.
Ai ka qenë i angazhuar edhe në rajon, ku ka punuar si këshilltar i jashtëm në projektet e BE-së për ngritjen e kapaciteteve të zyrës për Integrime Evropiane në Kabinetin e Kryeministrit të Kosovës në periudhën 2005-2008.
Zëvendësi i katërt i Mickoskit në Qeveri është zëvendëskryeministri i Qeverisë për sisteme politike, Ljupço Dimovski.
Në vitin 2019 për atë u kërkua paraburgim sepse dyshohej se kishte keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar gjatë ndarjes së ndihmave bujqësore dhe dhënies me qira të tokës bujqësore shtetërore në kohën kur ishte ministër i bujqësisë. Sipas Prokurorisë, ai së bashku me të pandehurit e tjerë i kanë shkaktuar dëm Buxhetit prej mbi 1,4 milionë euro. Ai u thirr në imunitetin si deputet dhe nuk iu caktua masa e paraburgimit.
Më herët, në vitin 2010, kur ishte ministër i bujqësisë, me para të popullit ai ka blerë nëpër artari, lulishte, agjenci turistike, hotele me pesë yje.
Zëvendësi i pestë dhe i fundit në Qeverinë aktuale është zëvendëskryeministri dhe ministri i marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve, Ivan Stoilkoviq.
Me të nuk lidhen skandale financiare. Ai është deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut që nga viti 2002 dhe deputet aktual.
Paraprakisht ka qenë themelues dhe drejtor i kompanisë ndërtimore “LAMAX CO” dhe kryetar i Këshillit Rinor në Kumanovë.