Levantinëve, sipas Faik Konicës, “çdo gjë e vjetër në Shqipëri” u duket “ose e poshtër ose qesharake”, sepse “ndjenja e thellë dhe e fshehtë e levantinëve është një besim i fortë se çdo i huaj, i çfarëdo dege a zotësie që në qoftë, makar një çirak bakalli, është më i mirë dhe më i lartë se ata”.
Këta imitues, që duan t’i paraqesin shqiptarët si “popull i çsojësuar”, përdorin fjalë të huaja që të duken më të ditur dhe më të rëndësishëm.
Levantinët e ri nuk shkojnë në ndonjë ngjarje, por në ndonjë eveniment ose event. Ata nuk befasohen, por surprizohen. Nuk bëjnë pushim, por vakancë. Nuk thonë e përkryer, por perfekte. Nuk thonë furrë, por incinerator. Nuk thonë më frikëson apo më kërcënon, por më intimidon. Përdorin edhe fjalët: abrogoj (për shfuqizoj), deciziv (vendimtar), ekzakt (përpiktë), mazhorancë (shumicë), minorancë (pakicë), impakt (ndikim), eksperiencë (përvojë), relaks (çlodhje), inicoj (filloj), luk (pamje) etj.
Levantinët, që shfaqen në media, e bëjnë gjuhën shqipe të pakuptueshme për vetë shqiptarët. Ata besojnë me naivitet se duke qenë më të pakuptueshëm, do të duken më të aftë dhe më të ditur. Gëte tha: “Nuk ka fjali të errëta, por mendime të errëta”.
Levantinët janë të bindur “se shqipja është gjuhë e dobët dhe e pazonja për të biseduar punë me rëndësi ose për të shfaqur ndjenja të holla.” Për fatin e tyre të keq, gjuha shqipe ka fuqi mahnitëse për të shprehur mendime të thella dhe ndjenja të holla. De Rada, Naimi, Fishta, Mjeda, Konica, Noli, Poradeci, Migjeni apo Kadare, me këtë gjuhë kulture krijuan kryevepra që e nderojnë kulturën tonë.
Në gjuhën shqipe janë përkthyer kryeveprat e letërsisë dhe filozofisë botërore, siç janë veprat e Homerit, Eskilit, Sofokliut, Euripidit, Platonit, Aristotelit, Virgjilit, Dantes, Shekspirit, Servantesit, Gëtes, Balzakut, Floberit, Dostojevskit, Niçes, Bodlerit dhe të gjenive të tjerë që krjiuan “letra të pavdekura”.
Ismail Kadareja, me veprat e tij, dëshmoi se nëpërmjet gjuhës shqipe mund të krijohen kryevepra të letërsisë botërore. Gjuhëpasuruesi Kadare, në vend të fjalëve të huaja, përdori fjalë shqipe, sikurse: rimohues për renegat, nënkresë për jastëk, tejqyrë për dylbi etj.
Sami Frashëri shpiku shumë neologjizma, si: kryeministër, kryeshkronjës (kryesekretar), gjithurdhërim (republikë), kombëri (kombësi), ushtare (kazermë), gjithëmësime (universitet), yjeshkronjë (observator), dheshkronja (gjeografi), dritëshkronja (fotografi) etj. Disa fjalë përdoren dhe disa jo, sepse, siç tha Umberto Eko, gjuha shkon aty ku ia do qejfi.
Fan Noli, që e pasuroi sistemin tonë kulturor me kryeveprat e gjenive të letërsisë botërore, e shqipëroi edhe terminologjinë kishtare.
Sipas Lumo Skendos, gjuha është rrojtja dhe vdekja e një kombi; është shprehja e qenies dhe ekzistencës sonë.
Sot gjuha shqipe është mbushur me ferra. Shumë fjalë janë mish i egër në strukturën e saj. Mund të vijë dita kur s’do të flasim shqip, por shqipisht. S’do të flasim që të kuptohemi dhe të mirëkuptohemi, por që të mos kuptohemi dhe të keqkuptohemi.
Levantinët veprojnë kështu, sepse, siç tha Konica i kulturuar, i cili pati letërkëmbime edhe me Apolinerin e lavdishëm, “shpirti i tyre pëson nga një soj sëmundjeje që Freud-i dhe shkolla e tij e quajnë kompleks inferioriteti”.
Levantinët, që i përçmojnë vlerat e tyre kombëtare për t’u vetëlartësuar, i bëjnë dëm kombit të tyre, sepse në botën e kombeve çmohesh aq sa e çmon veten.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.