Demokracia përballë sfidave të dezinformimit në një mjedis gjeopolitik në ndryshim

Shkruan: Besa Kadriu

Sfidat e demokracisë dhe ndikimi i dezinformimit në një peizazh gjeopolitik në ndryshim janë më të pranishme se kurrë. Nga përvoja ime shumëvjeçare në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe angazhimin në fushën e politikave publike, kam bindjen se demokracia sot nuk po sfidohet vetëm nga krizat ekonomike apo institucionale, por gjithnjë e më shumë nga dezinformimi si mjet politik dhe gjeopolitik. Pikërisht për këtë temë do të doja të reflektoj dhe veçmas në një shoqëri në tranzicion, si Maqedonia e Veriut dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ku dezinformimi shfaqet në forma të ndryshme: nga relativizimi i fakteve, tek sulmet ndaj institucioneve, mediave të pavarura dhe ekspertizës akademike. Këto fenomene nuk janë të rastësishme. Ato prodhohen dhe shpërndahen nga aktorë të ndryshëm – shtetërorë dhe joshtetërorë, me qëllim të qartë: dobësimin e besimit publik dhe polarizimin e shoqërisë.

Si ligjëruese dhe studiuese e qeverisjes dhe politikave publike, kam qenë dëshmitare e drejtpërdrejtë e mënyrës se si narrativat e rreme ndikojnë në proceset vendimmarrëse, në autonominë institucionale dhe në lirinë akademike. Kur pjesa intelektuale e shoqërisë vihet në shënjestër dhe ekspertiza delegjitimohet, demokracia humb një nga shtyllat e saj themelore, atë të mendimit të lirë të akademisë.

Dezinformimi nuk është më vetëm çështje mediatike por është sfidë e sigurisë demokratike dhe pjesë e një peizazhi më të gjerë gjeopolitik, ku konkurrenca për ndikim shtrihet në hapësirën digjitale, arsimore dhe institucionale. Vendet e vogla dhe demokracitë e brishta mbeten më të ekspozuara ndaj këtyre presioneve hibride.

Përballë kësaj situate, ndërtimi i qëndrueshmërisë (reziliencës) demokratike nuk mund të jetë retorikë. Ai kërkon institucione të forta dhe të pavarura, media profesionale, edukim qytetar dhe mediatik, si dhe politika publike të bazuara në evidencë. Po aq i rëndësishëm është bashkëpunimi ndërkombëtar dhe roli i organizatave si OSBE-ja dhe shumë të tjera, në mbrojtjen e standardeve demokratike.

Ky është një qëndrim personal, por njëkohësisht edhe një thirrje publike rreth asaj se:

Mbrojtja e demokracisë fillon me mbrojtjen e së vërtetës, dijes dhe institucioneve. Pa këto, çdo proces demokratik mbetet formal dhe i brishtë.

Po ndaloj edhe specifikisht tek praktika RMV-së, si një demokraci në tranzicion dhe vulnerabiliteti strukturor i saj!

Republika e Maqedonisë së Veriut, si demokraci në tranzicion, karakterizohet nga institucione formalisht demokratike, por shpesh me kapacitete të kufizuara institucionale dhe besim publik të brishtë. Ky kontekst e bën vendin veçanërisht të ndjeshëm ndaj dezinformimit, i cili shfrytëzon boshllëqet institucionale dhe polarizimin politik ekzistues.

Dezinformimi dhe ndërhyrjet hibride në kontekstin e RMV-së, shpeshherë shfaqen si pjesë e ndikimeve hibride, ku narrativa të ndryshme, shpesh të importuara ose të amplifikuara nga aktorë të jashtëm – ndërthuren me dinamika të brendshme politike. Këto narrativa synojnë relativizimin e orientimit euroatlantik, nxitjen e mosbesimit ndaj institucioneve dhe thellimin e ndarjeve shoqërore. Në anën tjetër, polarizimi politik dhe etnik si terren për dezinformim, gjithnjë është parë si një hapsirë apo shteg ku në përgjithësi, struktura politike dhe shoqërore e RMV-së, e ndërtuar mbi ndarje politike dhe etnike, e krijon një terren të favorshëm për instrumentalizimin e informacionit.

Dezinformimi shpesh ndërtohet mbi narrativa identitare, duke rrezikuar kohezionin shoqëror dhe funksionimin e demokracisë konsensuale; Gjithashtu, kriza e besimit në institucione dhe në proceset demokratike në RMV, respektivisht dezinformimi kontribuon drejtpërdrejt në erozionin e besimit qytetar ndaj institucioneve shtetërore, drejtësisë, mediave dhe administratës publike. Kur qytetarët humbin besimin në proceset demokratike, rritet apatia politike dhe dobësohet pjesëmarrja aktive.

Koncepti mbi rolin e mediave dhe sfidat e profesionalizmit- Ekosistemi mediatik në RMV përballet me sfida serioze që lidhen me politizimin, presionet ekonomike dhe mungesën e qëndrueshmërisë financiare. Këto faktorë e bëjnë median më të ekspozuar ndaj përhapjes së dezinformimit dhe e vështirësojnë ndërtimin e një debati publik cilësor.

Kush mund të cilësohet si një element shumë i rëndësishëm dhe faktor kyç në këtë drejtim?

Edukimi, akademia dhe qëndrueshmëria-rezilienca demokratike, padyshim!

Institucionet arsimore dhe akademike në RMV, ashtu si edhe në çdo vend tjetër, kanë një rol kyç në ndërtimin e qëndrueshmërisë-reziliencës afatgjate ndaj dezinformimit, megjithatë, presionet politike, mungesa e autonomisë së plotë institucionale dhe delegjitimimi i ekspertizës e dobësojnë këtë rol, duke ndikuar negativisht në kulturën demokratike.

Integrimi evropian si kornizë për forcimin e qëndrueshmërisë-reziliencës

Procesi i integrimit evropian përbën një mekanizëm të rëndësishëm rregullues dhe transformues për RMV-në. Standardet e BE-së në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së mediave dhe qeverisjes së mire, ofrojnë një kornizë konkrete për adresimin e dezinformimit dhe forcimin e institucioneve demokratike. Kjo si përvojë në aspektin praktik, ka shumë nevojë të reformohet me një orientim me standarde të praktikës evropaiane, mu ashtu siç edhe theksohet në raportet periodike të KE-së adresuar Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Një mesazh të përgjithshëm në përmbyllje të kësaj që u theksua më lartë do të ishte kësisoj:

Në kontekstin e RMV-së, përballja me dezinformimin nuk është vetëm çështje teknike apo mediatike, por sfidë politike, institucionale dhe shoqërore. Ndërtimi i qëndrueshmërisë-reziliencës demokratike kërkon investim afatgjatë në institucione, media të pavarura, edukim kritik dhe besim publik, si parakushte për një demokraci funksionale dhe gjithëpërfshirëse!