Leshka përballë ndërkëmbëzave të historisë

Sirija Etemi
Sirija Etemi

Leshka është vendi ku përzihen e nakatosen mitet e legjendat me ndodhi, dëshmi e fakte reale, shpesh të shpërfaqura me  inate e  kapriçe tekanjoze, sidomos kur kërkohet të zbulohen e të kuptohen rrënjët e të parëve të kësaj zone. Eh, sa artefakte të gjetura në nëntokën e kësaj treve, sa e sa shkrime janë dergjur e po dergjen akoma në duart e historianëve të kurdisur sipas tekave dhe diktateve të politikave rigjide, për t’i kallaisur ato mirë e  mirë, deri sa t’u përshtaten kabineteve apo salloneve të blinduara, që i quajnë “makedonski arhiv-i”, në të cilët, shqiptarët nuk kanë qasje, apo injorohen tërësisht…!

Kështu, në këtë mjegullnajë, të duket sikur të gjitha këto indicje mëkojnë njëra-tjetrën; se realitetit i japin shtysë legjendat e gojëdhënat e patelehisura, që, më në fund të fitosh përshtypjen se,  e djeshmja e ikur  rishtazi dhe, e sotmja e harlisur pas së ardhmes, dhe e gjithë kjo shtjellë  e vagëlluar të të tërmeg e të të humb ekuilibrin. Befasisht apo me ndërdije, të vjen vërdallë vendi me shumë emra, ku secili të duket më i llastuar se tjetri, më enigmatik dhe më i mistershëm se i pari, me ç’rast, herë të pëshpëritë si Oene, herë të kumbojë si Leaskumcosu, për një moment Legjan e Legen e në ndonjë rast tjetër si  Leshak, Leshki, Leshek, Leshkë, Leshka, Leshok, e s’di si… Sido që të jetë, çfarëdo pagëzimesh t’i kenë ngjitur në ndërkëmbëza shekujsh, një gjë është e sigurt: ky vendbanim ka një histori shumë të bujshme dhe, në këtë “eglendisje me historinë”, akoma gjen gjurmë të së kaluarës herë të lavdishme, herë të dhimbshme e,  herë  intriguese.

I qasem Leshkës më për së afërmi, sepse, me këtë fshat, ndër shekuj jemi fqinj të parë që nga thellësia e historisë. Për antikën dhe mesjetën e hershme të tij, kam bërë fjalë edhe në shkrime tjera, por, kjo nuk do të thotë se kësaj radhe s’kam se çka të them më, madje duke qenë gjithnjë i vetëdijshëm se, edhe  në këtë shkrim nuk do të mund të përfshihen të gjitha historirat që janë ulur këmbëkryq në këtë vendbanim dhe që, detyrimisht presin dorën e specialistëve të çliruar nga doza e përvetësimit të saj në favor të etnisë që i përkasin, sepse siç shprehet Ciceroni: Detyrë e parë e historisë është t’i shmanget gënjeshtrës, e dyta – të mos e fshehë të vërtetën, e treta – të mos japë asnjë shkas që të dyshojnë në të për anësi. E, unë në këtë rast nuk jam historian, por kjo nuk do të thotë që unë të shkruaj pallavra e, me këtë, nuk pretendoj të them se është paçavër fakti se, me ardhjen e sllavëve në Pollog (në periudhën ndërmjet shekujve VIII e IX),  dhe me penetrimin e tyre në këtë qytezë, sidomos në anën e djathtë të lumit, fillon edhe përzierja e ardhacakëve me popullatën vendase të shqiptarëve të krishterë, ku një numër i bollshëm familjesh kalojnë në anën e majtë të lumit dhe këtij lokaliteti (si pjesë integrale e kësaj qyteze) t’i rikthehet emri i mëparshëm Shllishtina, përkatësisht Sllatina, si do ta quajë administrata serbe e shek. XIII e XIV. Nuk janë dokrra faktet kokëforta se, kjo tokë e Pollogut ka qenë pronë e fisnikut shqiptar të derës së Kastriotit –  Gjon Kastriotit – babait të Skënderbeut, madje se në Manastirin Shën Mëria (“Bogorodica”) është bërë kunorëzimi i Gjonit me Vojsavën – të bijën e Gërgur Theodorit të Tribalëve, apo nëse them atë që është e pakontestueshme se,  Andrea Bogdani, madje edhe nipi i tij Pjetër Bogdani, kanë shërbyer në selinë e Dioqezës: Prizren – Shkup mu këtu në Manastirin e Vjetër, i cili u rrënua në luftërat austro – turke, ku, në anën e kësaj të fundit morën pjesë edhe shqiptarët e krishterë të kësaj toke. Unë do të shkruaj atë që kam mësuar dhe që ndjej si banor rezident i kësaj toke integrale: Leshkë – Sllatinë, madje përshtypjet për atë që kam lexuar në dokumente e shkrime të pafundme për këtë, që,  më në fund të paraqes edhe dëshmi materiale të gjetura në këtë tokën e stërgjyshërve të mi – den baba den.

NË SHFLETIM TË DISA SHKRIMEVE

Leshka përmendet disa herë në librin “Pollogu dhe popullata bullgare” (origjinal: Полог и его болгарское население), të autorit  M. Selishçevit.

Kështu, popullatën sllave të këtij vendbanimi, autori Selishçev e paraqet si bullgare, ku, rishtazi flet edhe për shqiptarët në këto vise (që i quan: arnauti, të shënuar me shkurtesën “a”, e,  të parët me “b” – bullgarë).

Në të njëjtin studim, përveç tjerash, për Leshkën shkruan edhe këtë:

Sipas  materialeve të shumta arkeologjike të gjetura në territorin e Leshkës si dhe në bazë të disa shënimeve historike, mund të rezultohet se këtu kemi të bëjmë me dy  qytete, një në antikë dhe tjetri në mesjetë. Sipas disa autorëve supozohet se qyteti antik që ka ekzistuar në këtë anë duhet të ketë qenë  O e n e j , të cilin e përmend  Tit Livi, kurse  për qytetin mesjetar, shënimet e para   i gjejmë  në krisovulën e mbretit Vasilie II të vitit 1019 në themelimin e Kryepeshkopatës së Ohrit, edhe atë – si  Leaskumcosu. Kështu shkruan në librin e tij autori vendas, Ilija Petrushevski: “Leshok” ,1982, fq.18-19

LEASKUMCOSU 

Siç përmendëm mësipër, shënimin e parë për këtë qytezë e gjejmë në krisovulën e perandorit bizantin Vasili II të vitit 1019 si Leaskumcosu, për të cilin banorët autokton përdornin emërtimin Leska, kurse me ardhjen e sllavëve në Pollog , në periudhën ndërmjet shekujve VIII,IX e X – konkretisht në vendbanimin në fjalë, këtë emër e transkribojnë në Lesh’sk. Me penetrimin e tyre në këtë qytezë, sidomos në anën e djathtë të lumit të sipërpërmendur, fillon edhe përzierja e ardhacakëve me popullatën vendase të shqiptarëve të krishterë, ku një numër i konsiderueshëm familjesh kalojnë në anën e majtë të lumit dhe këtij lokaliteti (si pjesë integrale të kësaj qyteze) e, t’i rrikthehet emri i mëparshëm:  Shllishtina.

Prandaj, në bazë të materialeve të shumta arkeologjike të gjetura, qoftë spontanisht, qoftë në forma të aktiviteteve destinative – të organizuara për hulumtime arkeologjike në Pollog – në pjesën jugperëndimore të fshatit Sllatinë, madje edhe në bazë të shkrimeve të Livies, mund të rezultojmë se në afërsi të këtij fshati gjendet një lokalitet, i cili dikur ka qenë i banuar me popullatë vendase. Gërmadhat e këtij vendbanimi përfshijnë pjesën nga rruga: Tetovë – Jazhincë, në largësi dy-treqind metra; në veri të vijës hekurudhore: Shkup-Tetovë, nja pesë – gjashtëqind metra, dhe në perëndim të lumit të Sllatinës, nga dy-treqind metra. Kështu, në afërsi të vendeve: Te Dy Vidhat (Te Di Vejdhët) dhe Te Dy Udhët (Te Di Udhët) janë gjetur materiale të shumta antike, si: qypa të mëdhenj (skifose), amfora, enë të ndryshme qeramike për amvisëri, shtylla të mermerit, themele të një objekti banimi, monedha etj. Sipas studiueses, Valentina Sokolovska, e cila në Revistën dyjavore të Radio Tetovës : “Pollog” , v. 2000, kuptojmë se të gjitha këto materiale janë gjetur në thellësi prej nja 80 cm , gjatë përgatitjes së tokës për mbjellje.  Këto janë gjetur në nëntor të vitit 1952 në pjesën jugperëndimore të fshatit me rastin e mbjelljes së mollave në kooperativën Bujqësore. Kështu, përveç tjerash është gjetë edhe një pllakë me dimensione: 127x100cm, me një mbishkrim mirë të ruajtur,që thotë: GETAC  GENOTANI  IN TI  IN  CYONMETA  XII  T O C. (Getas shumë të dashurës e të nderuarës nga Gentianians).

Të bëjmë këtu një shpjegim pak më të zgjeruar, gjithë duke u bazuar në materialet që i kemi:

Mbreti Genti, mbret i shtetit ilir (fisit të Ardianëve), ka qenë shumë i ditur. Ai kishte një kulturë të spikatur. Për këtë tregojnë njohuritë e tij mjekësore, sepse me njohuritë që kishte ai mundi ta luftonte një epidemi që qe përhapur në ILIRI. Prandaj, prej tij emërtohet një bimë mjekësore e vjetër: Gentiana Enzian.

Pllaka me mbishkrim ilir
Pllaka me mbishkrim ilir

Po në shekullin II të erës sonë, një tjetër ilir i quajtur GETA, në Sllatinë afër Tetovës ka ngritur një monument ku,përveç anës figurative të relievit, ka të gdhendur edhe një poezi në katër vargje të tipit  e p i g r a m  kushtuar gruas së Gentianës dhe dy fëmijëve të tij: Redonit (hyj ilir i detit) dhe K(H)erës.

Sigurisht se ky lokalitet me këtë pasuri kaq të madhe nëntokësore që ruan në gji, është apo duhet të jetë vazhdimësi integrale e pjesës tjetër të anës së majtë të lumit të lartëpërmendur, dhe që paraqet një vendbanim të madh e koherent të shek. III dhe II p.e.re., të cilin në vitin 170 p.e.re. , siç kemi përmendur, e shkatërron mbreti Persej.

Më tutje, sipas së njëjtës autore, Valentina Sokolova, po në të njëjtin publikim: “Pollog”, 2000. (Revistë dyjavore e Radio Tetovës), përveç tjerash shkruan edhe për fisin agrian i cili ka banuar këto treva:

Ky fis ilir  ka jetuar deri në shekullin e dytë (II) p.e.re. – në territorin e shtrirë rrëzë Sharrit – Pollog edhe atij të Malit të Thatë, deri në Gostivarin e sotëm me rrethinë. Kjo popullatë krijoi një traditë dhe kulturë të lartë civilizimi, duke themeluar qytete dhe mbretëri të fuqishme, që shpesh joshnin grykësit fqinjë. Ishte kjo një popullatë e cila me mjeshtri të rrallë do të dijë t’i shfrytëzojë dhe përpunojë xehet  apo metalet për ndreqjen e veglave të ndryshme të punës, armëve të mirëfillta, bile edhe farkimin e monedhave të shumta me portrete të mbretërve agrianë, si: SIMON(IA), NIKARK (NICARC), BASTAREJ, DIPLAJ, DARADO etj., të cilët ngritën dhe konsoliduan vendbanime të organizuara mirë politikisht dhe ushtarakisht, si: PELLAGIA, DAPARIA, SARNOA(SARNUNT), TENESTINI, DAMASTION. Për të cilin shkruan edhe  I.Mikulçiç, në librin: “ Antiçki gradovi vo Makedonija”, fq. 199

Pra, në këtë periudhë, kemi banuesit autokton ilir të quajtur Agrianë, të cilët mbijetuan deri në shekullin II p.e.re, kur mbreti Pajon AUDOLEON, territorin e tyre e bashkon me atë të pajonëve për t’u bërë ballë atakimeve ekspansioniste të ushtrive të ndryshme, sidomos atyre maqedone dhe, më vonë – mbretërive romake.

Prandaj, mund të përfundojmë se, krejt thesari arkeologjik i gjetur në këto zona e, në veçanti, në afërsi të vendbanimeve: Leshkë e Sllatinë, madje edhe pasuria tjetër ende e pazbuluar, korrespondojnë me antikën e lashtë kryeneçe, që i referohet një qytetërimi mjaft të lartë të fisit Ilir të lartëpërmendur, i cili ka jetuar në këto troje, dhe që ka mbijetuar nëpër rrathët e historisë, për t’i sfiduar furtunat pushtuese të imperatorive dhe perandorive, e për t’u regjeneruar nëpër shekujt pasues, për të mbijetuar deri në bashkëkohësi.

FISET QË PËRBËJNË LESHKËN DHE VENDEMËRTIMET

 Meqë ky vendbanim sot përbën një numër relativisht të vogël të banorëve, (sipas regjistrimit të vitit 2021 rezulton me 695 banorë gjithsejt, prej të cilëve, 381 maqedonasë, 280 shqqiptarë dhe 34 të tjerë), po ashtu edhe të lagjeve dhe fiseve, këtu do t’i cekim ato të përfshira në monografinë për Leshkën të autorit Ilija Petrushevski, (Botim i vitit1982).

Leshkën e përbëjnë këto fise:

Si fise të vjetra llogariten: Daboqët, Llalloshët, Mazrekët (që degëzohen në: Dardalë, Momiroj, Gjurçej, Caninë dhe Misë), madje, Poparët, Popojt, Inçejt, Çoçollët, Stançejt, Toshejqët, Nallebukët, Carllët e Gllajnoj. Si fise të reja, të ardhur më vonë, llogariten: Qapunkët, Konstadinët, Sandarët, Takarët, Gërkët, Bazët, Cincarët, Kollarët, Kovaçët, Gaxhët, Korinkët, Allallët, Lezët etj.

Ky vendbanim i populluar me popullatë maqedone dhe shqiptare, ka vendemërtime të bollshme e shumë të pasura, të cilët theksohen në gjuhën e kësaj popullate, por ka edhe të tilla që theksohen edhe në gjuhën  e banorëve shqiptarë, kryesisht të ngulitur këtu këto njëzet vitet e fundit, sidomos nga fshatrat fqinj, të Sllatinës dhe Neproshtenit. (Këtu do t’i paraqesim toponimet e shënuara në të dy të folmet, ashtu si i shqiptojnë maqedonasit nga njëra anë, edhe shqiptarët në anën tjetër).

Fitonimet: Bresllejka (Bresllika), Cërnejca (Crnica), Di  Vejdhët (Dva Bresta), Gaberi, Leska, Repushnik, Te Fera(Trnj), Te  Kshtijët (Koshtanllik), Te Mexhet e Gjata (Dollgi Grm), Te Shelnj’ e Shtremët (Kriva Vrba), Te Jasejka  Popit (Popoj Jasike), Te Shelnj’ e Markit (Marçej Vrbe), Soshje, Vishnik.

Hidronimet: Buçejca, Banja, Bunari,Gushajec, Mllaka, Pllaçkoeci, Potoki, Ujt’i Madh (Sillna Voda), Ujt’i Tharët (Kisella Voda)

Patronimet: Ar’ e Bajrëmit (Bajramova Niva), Ar’ e Pavlit (Pavleo nivçe), Bulino’o, Debranço’o, Gjuri Markit(Markov Kamen), Shelnj’e Markit (Marçej Vrbe), Jasejk’ e Popit (Popoj Jasika), Kadriina, Kalendarica, Kollova, Kostova, Stëni Stoles (Stoleo Baçillo), Shurllea Kupina,Vori Bulit (Bulin Grob), Zharkoqeo.

Toponimet sipas rrugëve: Udh’ e Tearcës (Teareçki Put), Udh’ e Jançishtit (Jançishka Cesta), Udh’ e Ngusht (Tesen Put), Udh’e Ratajës (Ratajski Put), Udh’ e Vërtejshtës (Vrtishki Put), Udh’ e Cërnejshtës (Crniçki Put).

Toponimet sipas objekteve: Çifliki, Kalaja (Kale), Kulla, Pojatishta, Vuari Bulit, Zadgracko, Te shkolla.

Toponimet sipas vendeve të shenjta:  Manasteri, Sv.Petka, Sv.Nikolla, Sv.Ilija, Sv. Vraça,  Manasteri Vjetër (Star Manastir).

Toponimet sipas përdorimit të dikurshëm: Kasapnejca (Kasapnica), Kovaçnejca, Te Hënet (Anishta), Te Krejpin Dhient (Solishta), Te Stëni Stoles, Te Zbirallët (Zbirallo), Te Zbirallët e Epra (Staro Zbirallo).

Toponimet sipas  pamjes  gjeomorfologjike: Çiftetashi, Belimeni, Doli, Grogoti, Gjur’ i Markit (Markov Kamen), Pevçejna (Pevçina), Plluaça (Plloça), Preçnik, Presllap, Quka, Rupa, Sranski Doll, Suvi Doll, T’men Doli, Tumbina.

Toponime sipas tokës së punueshme: Ar’ e Bajrëmit (Bajramova Niva), Ar’ e Pavlit (Pavleo Nivçe), Bafçe, Te Vneshtët  e Manasterit (Manastirsko Llozje), Trebenejca (Trebence).

Zoonimet: Gavranoec, Goecka Karpa, Te Kepi Hutit (Jasreboa Karpa)

Manastiri: Shën Mëria (S. Bogorodica) ndërmjet Leshkës dhe Sllatinës
Manastiri: Shën Mëria (S. Bogorodica) ndërmjet Leshkës dhe Sllatinës

“SHËN MËRIA” – VATËR E KREKOSJES SË PESË  POPUJVE TË ÇARTUR

Në krye të fshatrave fqinj: Leshkë e Sllatinë të Tetovës, po pllakosë në heshtje një tempull që, akoma s’dihet se sa është lashtësia e tij. Janë krijuar shumë mite e legjenda për të, qoftë nga shqiptarët, maqedonët, bullgarët e serbët, bile-bile edhe nga grekët. Por, në këtë rast nuk dua këtë shkrim ta rëndoj me teke e trille, por do të shtroj të dhënat autoktone e burimore rreth këtij tempulli, i cili që prej kohe po më provokon me madhështinë e tij.

VENDNDODHJA E OBJEKTIT SAKRAL

Kisha Shën Mëria e Leshkës gjendet në oborrin e manastirit të ri, përkatësisht të manastirit të sotëm, kishë kjo që, për herë të  parë  përmendet  më 1326,  kur, së bashku me oborrin episkopal, u dedikua si kisha “Shën Mëria e virgjër”. Në këtë kontekst, është me rëndësi të theksohet se, me këtë rast, nuk ka shënime për atë se kur është ndërtuar ajo.

Pamja e kishës: Shën Mëria – Leshkë (Pamja nga ana e poshtme: jug-lindje)     
Pamja e kishës: Shën Mëria – Leshkë (Pamja nga ana e poshtme: jug-lindje)

Në këtë tempull sakral, nën portalin e brendshëm të rrënuar ka qëndruar mbishkrimi në të cilin ka qenë shkruajtur: …renovohet për nder të shkëlqesisë dhe bujarisë kristiane të mbretit të madh dhe sundimtarit të tokës serbe dhe bullgare (…обновисе… благочестваго и христолубиваго светога крала и самодрржца в се србске и болгарске земле…  Sipas këtyre shënimeve, kisha ka vjetërsi shumë të lashtë, ndoshta nga koha kur vendbanimi ka qenë qytezë, dhe si e tillë ajo është rinovuar disa herë, edhe atë – në periudhën ndërmjet vitit 1345 dhe 1355. Për herën e dytë është rinovuar në vitin 1641 nga ana e ipeshkvit të Pollogut e, më vonë – ipeshkv i ipeshkvisë: Shkup-Pollog, Nikanor Gllainoj, i cili, më së pari  ka ndërtuar parahyrjen e kishës, ndërsa pesë vite më vonë, nga 1 marsi deri 20 prilli të vitit 1646, ajo ka qenë e zografuar nga zografët grekë për 95 dukatë.  Duhet të përmendet fakti se ipeshkvi i kësaj ipeshkvie: Shkup-Pollog, ndërmjet viteve 1646 dhe 1650, ka qenë i varrosur mu në këtë kishë, përkatësisht afër  oltarit, por nuk dihet se çka ka  ndodhur më vonë – pas vitit 1900.

Rinovimin e tretë të kishës e bën “Vëllazëria manastirore”  në vitin 1878. Me këtë rast çvendoset muri ndërmjet aosit dhe narteksit, në të cilin gjendej dera, derisa ndërtohet narteksi. Me heqjen e murit dëmtohet apo shkatërrohet edhe mbishkrimi i vjetër nga sh. XIV dhe figura e Nikanorit. Më 1879 kisha u shugurua  për herë të tretë nga ana e zografit G. Mihajli dhe Panajoti.

Kisha është 80 cm. me bazamentin e etabluar më thellë në tokë; baza e brendshme apo dyshemja është e shtruar me pllaka guri, ndërsa plafoni është i suvatuar me alabastër.

Ana frontale e varrit mbuluar me pllakën e mbishkrimit
Ana frontale e varrit mbuluar me pllakën e mbishkrimit

Kisha paraqet një galeri të vogël por shumë të pasur, në të cilën njeriu apo vizitori mundet që vetëm të impresionohet e të mrekullohet. Nga deshifrimi i mbishkrimeve dhe pikturave, shihet qartë se  ato i përkasin dy periudhave: atyre të sh. XVII dhe të sh.XIX.

Fragment nga mbishkrimi në pllakën e varrit në fund të të cilit ka edhe shënim me alfabetin osman?
Fragment nga mbishkrimi në pllakën e varrit në fund të të cilit ka edhe shënim me alfabetin osman?

Ajo që bie në sy në këtë mbishkrim është shoqërimi i tekstit edhe me alfabet arab, edhe atë, në fillim të mbishkrimit ( në të djathtë të pllakës dhe në fund të tij, po ashtu në anën e djathtë). Për të dëshmuar me saktësi se a është ky shkrim me të vërtetë arab, jam konsultuar me klerikë fetar myslimanë, të cilët e kanë lexuar dhe konfirmuar këtë fakt, por kuptimi i tekstit ka mbetur i padeshifruar, të paktën deri më tani. Prandaj, specialistëve të kësaj fushe u mbetet borxh që t’i dalin në fund kësaj pune!

AFRESKAT PIKTURALE BRENDA OBJEKTIT

Ajo që menjëherë të bie në sy që në hyrje, është pasurimi me freska, të komponuara mjeshtërisht në hapësirat e kishës në fjalë, me ç’rast nuk është lënë asnjë kënd i saj bosh. Në kompozicionet e ndërthurura janë të paraqitura një numër i madh i figurave të shenjtorëve, mundimqarëve  dhe të engjujve.

Pikturat në olltar dhe narteks i përkasin sh. XIX, ndërsa ato të sh. XVII  gjenden në naos  dhe përmbajnë elemente të artit klasik bizantin nga sh. XIV  me ravijëzime të barokut.

Në pikturat e narteksit është i theksuar kompozicioni i “Gjykatësit të tmershëm”. Figura e Shën Mërisë pikaset disa herë, ndërsa Jezu Krishti është paraqitur tri herë. Ikonostasi është përpunuar në vitin 1879 nga ana e rekanasit, Mihal Gjurçini, i cili, përmes ikonostasit, tregon se  në rinovimin e kishës kanë marrë pjesë edhe banorë të Leshkës dhe rrethina e saj. Për këtë arsye, ky me këtë rast, në ikonën: “Shën Mëria e Mëshirshme”, shënon: Lutem për të gjithë ata të cilët kontribuan në ndërtimin e Leshkës, Perëndia t’Ju jep shëndet dhe shpëtim shpirtëror.

Shën Mëria dhe tetë shenjtorë     
Shën Mëria dhe tetë shenjtorë

SUMA-SUMARUM

Ndoshta ky shkrim me këto fakte e dëshmi  autoktone nuk do të ishte aq relevant dhe efikase, po të mos i referohemi një argumenti mjaft të rëndësishëm, të cilin e kam përmendur edhe më herët në një shkrim (nuk di se në cilin portal), dhe i cili po nakatoset me një mjegullnajë të mugët, pasi na mungon dokumenti shumë i rëndësishëm, i cili do të ndriçonte përfundimisht dilemën obsesive. Bëhet fjalë për dokumentin e kurorëzimit  të Gjon Kastriotit (babait të Skënderbeut) me Vojsavën.  E, deri sa  ky mister do të demistifikohet, do të qarkullojnë supozimet, e, siç thotë Ushinski: “Aty ku nuk ka njohuri të sakta, jepen supozime, e dhjetë supozime bëjnë nëntë gabime”, d.m.th. – një është e saktë. Të ngelim me shpresë se ky “njëshi” të jetë ky supozimi i fundit që ka të bëjë me dokumentin apo aktin e kurorëzimit në fjalë.