Lehona, foshnja e së cilës ndërroi jetë në spitalin e Manastirit, ende nuk e ka marrë listën e lirimit dhe dyshon në gjetjet e autopsisë
Lehona nga Manastiri, Viktoria Kërsteska, foshnja e së cilës ndërroi jetë në repartin e gjinekologjisë në Spitalin klinik të Manastirit, reagoi në Facebook se edhe pas dy javësh ende nuk e ka marrë listën e lirimit nga spitali, edhe pse është dashur të bëhet menjëherë pas largimit nga objekti. Kjo, thotë ajo, ngre dyshime të mëtejshme se diçka po fshihet për rastin e saj, transmeton Portalb.mk.
Kërsteska tregon se dje ka shkuar për të kërkuar letrën e lirimit, por nuk ka marrë përgjigje se pse nuk është ende gati.
“Pas 12 ditësh ende nuk kam letër lirimi. Historia ime akoma nuk është askund. Teknikisht je e regjistruar por dokument nga unë nuk ka??? askund? “Bëmë çfarë bëmë, të shkruajmë çfarë bëmë, të ngjisim një tjetër?” shkruan Kërsteska në profilin e saj në Facebook.
Ajo tregon se dyshon edhe në raportin e autopsisë, i cili sipas saj mund të jetë i manipuluar dhe shton se nuk pret ta marrë shpejt, edhe pse është urdhëruar që të përgatitet sa më parë.
“O” nga autopsia, në dy javët e ardhshme nuk do të ketë, pse? Epo, mesiguri janë në pushime ‘) .. megjithëse është urdhëruar që të bëhet sa më shpejt. Ose do të më endni, njëjtë siç më ofronit barriera për të më nxjerrë më shpejt nga spitali. Është e qartë se ka prapavijë, të paktën jini të guximshëm dhe pranojeni. Derisa jam ende gjallë, do t’ju ndjek penalisht të gjithëve juve që keni gabuar për vdekjen e foshnjës time. Do të luftoj deri në fund!”, thotë Kërsteska.
Ajo paraprakisht para ngjarjes tragjike, gjegjësisht, menjëherë pas lindjes në spitalin e Manastirit, ka publikuar një status në rrjetin social Facebook në të cilin ka treguar anën e saj të ngjarjes, duke pretenduar se ka pasur një shtatzëni të shëndetshme, por lindje të vështirë dhe të dhunshme.
Në fund të postimit ajo akuzoi se “ia kanë vrarë foshnjën për shkak të egos, arrogancës dhe joprofesionalizmit” dhe ka thënë se gjoba për këtë është qesharake dhe nuk do të ndalet derisa përgjegjësit të japin llogari.
Për rastin, Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor (IShSSh) ka kryer inspektim të jashtëzakonshëm, nga i cili është shqiptuar kundërvajtje ndaj mjekut gjinekolog, personit përgjegjës në spital dhe spitalit si person juridik. IShSSh ka publikuar raportin e bërë nga këqyrja në evidencën mjekësore dhe dokumentacionit, si dhe nga deklaratat e dhëna nga mjekët gjinekologë dhe obstetër, por kanë bërë të ditur se do të iniciojnë mbikëqyrje profesionale sa i përket pjesës profesionale të kurimit dhe trajtimit të nënës dhe të porsalindurit të vdekur.