Padi për fajde, zhvatje dhe pastrim parash në Kumanovë, MPB-ja zbuloi grup kriminal që vepronte prej pesë vitesh
Pesë persona do të përballen me kallëzime penale pas një aksioni të madh policor në Kumanovë, përmes të cilit është shkatërruar një grup i organizuar kriminal, i dyshuar për fajde, zhvatje dhe pastrim parash. Policia disponon prova dhe fakte të konsiderueshme për aktivitetet e të dyshuarve, të cilat i kanë kryer nga viti 2021 e deri më sot, konfirmoi drejtori i Byrosë për Siguri Publike (BSP), Aleksandar Janev, transmeton Portalb.mk.
Sipas Janevit, aksioni policor pasoi pasi një qytetar mori guximin të informonte Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), pas së cilës shërbimet kompetente ndërmorën veprime për mbledhjen e provave materiale. Janev theksoi se policia vepron pa tolerancë ndaj çdo kryerësi të veprave penale, pavarësisht nëse fshihet pas emrave apo grupeve të caktuara.
Ai shtoi se në të gjitha lokacionet e personave të dyshuar janë kryer bastisje, gjatë të cilave janë gjetur shuma të mëdha parash dhe dokumente, të cilat dëshmojnë se ata merreshin me huadhënie parash dhe zhvatje.
Në bazë të këtyre gjetjeve, Janev tha se është propozuar edhe bastisja e një zyre noteriale në Kumanovë. Gjithashtu, është njoftuar edhe Banka Popullore, pasi janë gjetur mjete financiare që dyshohet se kanë origjinën nga një këmbimore në pronësi të vëllait të njërit prej të dyshuarve.
“Banka Popullore po kryen kontroll dhe revizion për të konstatuar nëse paratë e gatshme burojnë nga këmbimorja”, theksoi Janev.
Ai bëri të ditur se gjatë procedurës dhe bastisjeve pritet të sekuestrohen edhe automjetet, dokumentacioni i plotë, telefonat dhe të gjitha sendet e tjera që mund të jenë me interes për hetimin. Në koordinim me prokurorin publik kompetent për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, do të dorëzohet edhe kallëzimi përkatës penal.
Ekipet policore nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) sot në mëngjes kanë kryer bastisje në disa lokacione, në kuadër të një aksioni të ri të koordinuar nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK).