Le Figaro: Shqipëria, ndër 15 destinacionet turistike të 2024

Pas CNN është një tjetër media e rëndësishme botërore që e rendit Shqipërinë ndër destinacionet kryesore që duhen vizituar gjatë 2024, raporton Klan. Bëhet fjalë për prestigjiozen franceze “Le Figaro”, e cila në një artikull të gjatë kushtuar destinacioneve turistike të këtij viti u sugjeron lexuesve të saj edhe Shqipërinë si te tetën ndër 15 vendet kryesore për t’u eksploruar.

Duke evidentuar se për gati gjysmë shekulli ishte një nga vendet më të mbyllura në botë për shkak të diktaturës, ‘Le Figaro’ thekson se prej disa vitesh Shqipëria ka hapur dyert për turistët duke u shndërruar në një nga destinacionet e fundit sekrete në Evropë.

Ngjyra e bruztë e ujit dhe plazhet me rërë të bardhë përgjatë vijës bregdetare shqiptare evidentohet në shkrim si një nga pikat e forta të Shqipërisë për turizëm.

Një vëmendje të veçantë në artikull i kushtohet edhe Vjosës, lumit të fundit të egër në Evropë dhe i pari që u bë park kombëtar.

Për dashamirësit e trashëgimisë kulturore rekomandohet Berati si “qyteti i një mijë dritareve” si dhe padyshim Gjirokastra.

Në artikull nuk lihet pa përmendur as Tirana si një metropol që po modernizohet me shpejtësi.

Të gjitha këtyre pasurive i shtohen edhe çmimet tërheqëse që ofron Shqipëria për turistët.

Për “Le Figaro”, jemi një nga vendet që ka raportin cilësi/çmim më të mirë në Evropë.