Lavrovi ndërton paralelizma të rremë për të fajësuar Perëndimin përmes rastit të Kosovës

Në një deklaratë të fundit të ministrit të Jashtëm të Federatës Ruse, Sergey Lavrov, Kosova është përmendur sërish si shembull në përpjekjen e tij për ta sulmuar Perëndimin dhe për të vënë në pikëpyetje integritetin e politikës së jashtme të vendeve perëndimore. Kjo nuk është hera e parë që zyrtarët rusë e përdorin çështjen e Kosovës për të promovuar narrativën e tyre gjeopolitike, e cila synon të relativizojë agresionin mbi Ukrainën, shkruan Sbunker

Akuza se Perëndimi e trajton Kartën e OKB-së si një meny restoranti

Në një deklaratë të dhënë më 9 qershor 2025 për mediat ruse “Sputnik” e “Russia Today”, Lavrovi akuzoi vendet perëndimore se zgjedhin parimet e së drejtës ndërkombëtare “si nga një meny restoranti”, duke e përdorur rastin e Kosovës për të ilustruar “standardet e dyfishta” të Perëndimit. Ky pretendim i tij u shpërnda edhe nga mediat në gjuhën serbe në Kosovë.

Nëse ato zbatohen dhe nëse Perëndimi e bën këtë, atëherë e bën këtë në mënyrë të njëanshme, duke zgjedhur sikur janë në një meny restoranti – në një rast parimin e mbrojtjes së sovranitetit – siç bëri kur refuzoi të njihte një referendum absolutisht transparent në Krime dhe në rastin tjetër udhëhiqet nga parimi i së drejtës së një kombi për vetëvendosje, siç ishte rasti kur Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë pa asnjë referendum. Perëndimi atëherë tha se kjo është e drejta e popullit, e shkruar në Kartën e OKB-së“, citohet deklarata e Lavrovit në artikullin e “Kosovo-Online”.

Në një tjetër raportim nga portali Pravda.rs, promovohen edhe deklaratat e pambështetura në fakte të Lavrovit. Mes të tjerash, ai spekulon se Kosova u shkëput nga Serbia, edhe pse nuk ka pasur luftë në vitin 1999. E bën tek tërheq paralele dhe insiston në të drejtën e rusëve në territoret e pushtuara të Ukrainës lidhur me të drejtën për vetëvendosje.

Ata u mbështetën në parimin e vetëvendosjes së popujve, në faqen e parë të Kartës së OKB-së. Përmes këtij parimi, në një situatë ku nuk kishte luftëra, as rreziqe konflikti të armatosur, ata e morën dhe e shkëputën Kosovën nga Serbia dhe thanë – është një gjë e qartë, e drejta e vetëvendosjes së popujve. Edhe pse atje nuk pati referendum, askush atje nuk vetëvendosi”, citohet Lavrovi nga medium serb i njohur për narrativat kundër Kosovës.

E vërteta është se Perëndimi intervenoi në Kosovë si pasojë e luftës dhe krimeve të ish-regjimit të Slobodan Milosheviqit mbi popullatën civile. Deri te shpallja e pavarësisë në vitin 2008, pati negociata dhe Kosovës iu vunë standarde që duhej t’i përmbushte si vend që fitoi lirinë me mbështetjen e Perëndimit.

Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare.

Në një vijë të ngjashme raportojnë edhe portalet “in4s.net” dhe Vesti Online, të cilat theksojnë se Lavrovi e ka përdorur këtë krahasim për të mohuar përgjegjësinë e Rusisë ndaj agresionit në Ukrainë, duke ndërtuar një krahasim të rremë ndërmjet procesit të mbikëqyrur të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe pushtimit ushtarak të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

Taktikë propagandistike 

Përdorimi i çështjes së Kosovës nga zyrtarët rusë, përfshirë Lavrovin, është një taktikë e zakonshme propagandistike, veçanërisht kur ata ndodhen nën presion ndërkombëtar për veprimet e tyre në Ukrainë apo për shkeljen e të drejtave ndërkombëtare. Përmes kësaj strategjie synohet krijimi i një perceptimi të barazisë morale mes Rusisë dhe Perëndimit, duke e paraqitur ndërhyrjen në Kosovë si precedent për çdo ndërhyrje tjetër.

Ky lloj diskursi është pjesë e një strategjie më të gjerë të dezinformimit që Rusia ka përdorur në Ballkan dhe në forume ndërkombëtare. Lidhjet ndërmjet narrativave për Kosovën dhe ngjarjeve aktuale si pushtimi i Ukrainës kanë për qëllim të dobësojnë unitetin e NATO-s dhe të krijojnë polemika mbi legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.

Narrativat që synojnë të cenojnë unitetin dhe misionin e NATO-s, duke shfrytëzuar lidhjet komplekse historike dhe gjeopolitikën e Ballkanit Perëndimor, përhapen përmes akterëve lokalë që promovojnë interesat e Rusisë.