Lamallari pas shpalljes ‘non grata’ të Belës dhe Halimit: Nuk lejojmë agjenda që cenojnë sigurinë

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, në ABC News bëri të ditur se vendimi për shpalljen persona të padëshiruar për një periudhë 10-vjeçare të dy shtetasve nga Maqedonia e Veriut, Valon Belës dhe Bekir Halimit, është marrë më 17 korrik, në funksion të mbrojtjes së interesit kombëtar, transmeton Portalb.mk.

Lamallari tha se vendimi për të ndaluar hyrjen e këtyre dy personave në Shqipëri u mor pasi ata përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare të Shqipërisë, ndërsa janë administruar të gjitha informacionet e nevojshme nga agjencitë ligjzbatuese.

“Sa më shumë i afrohemi familjes europiane ne duhet të sillemi si vend anëtar duke marrë çdo masë të nevojshme jo vetëm për të garantuar sigurinë kombëtare por edhe për të mos lejuar asnjë lloj interefence të agjendave të cilat janë të dëmshme jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin dhe më gjerë”, tha Lamallari.

Në ndërkohë Valon Bela e ka kritikuar këtë vendim.

“Vendimin kur e ka marrë paska qenë prezent edhe njësia antiterror, paramendoni antiterror i kujt çfarë porosi merr ai antiterorr, nga Vuçiq, njësia elitë e cila lufton terrorizmin atje ndërkombëtar është njësia speciale amerikane për të cilën unë kam 22 mirënjohje, përveç atyre kam edhe rekomandime nga njësia elitë për lufimin e terrorizmit”, theksoi Bela.

Edhe Bekir Halimi e ka cilësuar këtë vendim si padrejtësi.

“Është mërzi për secilin t’i bëhet padrejtësi, sidomos atyre personave që gjithë jetën ia kanë kushtuar ngritjes së vetëdijes fetare tek populli jonë dhe kontributit patriotik për zhvillimin tonë kombëtar. Mirëpo kështu e ka jeta ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi dhe të luftojmë padrejtësitë kudo që bëhen”, tha Halimi.

Bekir Halimi është hoxhë nga Shkupi ndërsa Valon Bela ka qenë aktiv në politikë dhe ka ushtruar fnksionin e drejtorit ekonomik të Klinikës së Gjinekologjisë.

Bela në postimet në Facebook ka mbështetur protestat e “Revolucionit Flamingo” duke postuar edhe foto nga pjesëmarrja në to.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më herët ka pretenduar se protestat shoqërohen edhe me ndërhyrje nga jashtë, duke përmendur pjesëmarrjen e qytetarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Kujtojmë se në qershor, Shqipëria i ndaloi hyrjen për 15 vjet predikueses fetare nga Kosova, Ikballe Huduti, e njohur për qëndrimet e saj pro Iranit.