BDI ngre dyshime pas vjedhjes në NPK Saraj: Pse hesht Komuna?

Vjedhjen e qarkullimit ditor në Ndërmarrjen Publike të Sarajit, dega e BDI-së nga kjo komunë e ka konsideruar si skandal e cila e cenon kredibilitetin e institucionit, sigurinë e pasurisë publike dhe besimin e qytetarëve ndaj komunës dhe institucioneve të saj, transmeton Portalb.mk.

Nga Dega e BDI-së në Saraj thonë se edhe më shqetësuese është heshtja e kryetarit të Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi.

“Përballë një ngjarjeje të këtij dimensioni, qytetarët presin përgjegjësi, transparencë dhe sqarime, e jo heshtje. Prandaj, publikisht kërkojmë përgjigje të qarta për këto pyetje: A kanë qenë funksionale kamerat e sigurisë dhe sistemi i kontrollit të hyrje-daljeve në objekt në momentin kur pretendohet se ka ndodhur ngjarja? Pse nuk kanë qenë në krye të detyrës rojet e sigurimit dhe kush mban përgjegjësi për këtë lëshim? Sa është shuma e mjeteve financiare që pretendohet se është marrë dhe në çfarë baze juridike ato mjete janë mbajtur në zyrën e drejtorit. A është e vërtetë se në NPK Saraj janë mbajtur mjete financiare mbi kufirin maksimal të lejuar të arkës, në kundërshtim me nenin 183 të Ligjit për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave”, thanë nga BDI.

Ata kërkojnë që udhëheqësia e Komunës së Sarajit dhe drejtuesit e NPK-së të dalin sa më parë para opinionit me një informim të plotë, transparent dhe të argumentuar, duke sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti. Ndërkaq, insittuiconet të hetojnë rastin në mënyrë të paanshme.

Rasti është i regjistruar edhe në Ministrinë e Brendshme.

“Më 04.08.2026, në Njësinë Policore Saraj, nga I.H. (41), drejtor i NPK Saraj, është raportuar se në periudhën nga ora 16:30 e datës 31.07.2026 deri në ora 06:40 të datës 04.08.2026, në zyrën e tij, e cila ndodhet në objektin e komunës, nga një autor i panjohur është hapur me forcë dera hyrëse e zyrës dhe një sirtar i tavolinës së tij të punës, me ç’rast janë vjedhur para nga qarkullimi i NPK Saraj. Po merren masa për zbardhjen e rastit”, thanë nga MPB.

Nga Prokuroria Publike thanë se e presin përfundimin e hetimit nga MPB-ja, për të vazhduar hetimet dhe procedurën e mëtutjeshme.