Fondi paralajmëroi hetime për keqpërdorimet me pushimet mjekësore

Drejtori i ri i Fondit të Sigurimit Sëndetësor, Zllatko Perinski ka paralajmëruar ndryshime në sistemin e kontrollit të pushimeve mjekësore, duke bërë të ditur se Fondi tashmë po kontrollon raste të pushimeve që zgjasin nga një deri në tre vjet, nga tre deri në pesë vjet, madje edhe më shumë se pesë vjet, transmeton Portalb.mk.

“Deri më tani Fondi nuk i ka kontrolluar pushimet mjekësore më të vjetra se 12 muaj, të cilat sipas ligjit nuk do të duhej të vazhdonin si pushime mjekësore. Aktualisht po kontrollojmë pushime që zgjasin nga një deri në tre vjet, nga tre deri në pesë vjet dhe mbi pesë vjet”, tha Perinski.

Ai shtoi se, nëse konstatohen parregullsi, rastet do t’i dorëzohen edhe Prokurorisë.

Sa u përket pushimeve të gjata mjekësore, ministri tha se numri i tyre mbetet relativisht i qëndrueshëm, rreth 25 mijë në vit, por mjetet që paguhen për to janë rritur ndjeshëm.

Në mesin e reformave që ai i paralajmëroi sot janë ulja e rrjedhjes së mjeteve për mjekimet jashtë vendit, shpenzimet për pajisjet ortopedike, si dhe kontrolli më i madh i pushimeve mjekësore.

Revizioni së fundmi ka konstatuar se te Fondi për Sigurim Shëndetësor edhe më tej ekzistojnë mospërputhje në mënyrën e sigurimit dhe monitorimit të efikasitetit të trajtimit jashtë vendit, në mënyrën e financimit/blerjes së shërbimeve nga Institucionet Shëndetësore Publike dhe në përditësimin e çmimeve referente për shërbimet shëndetësore dhe të Listës së barnave që mbulohen nga Fondi.