Shqipëria i shpalli “non grata” Valon Belën dhe Bekir Halimin nga RMV-ja

Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë i ka shpallur persona të padëshirueshëm (non grata) dy shtetas të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Në listën e zezë janë futur Valon Bela dhe Bekir Halimi, për të cilët ka të dhëna se kanë vepruar në dëm të shtetit shqiptar.

Bekir Halimi është hoxhë nga Shkupi ndërsa Valon Bela ka qenë aktiv në politikë dhe ka ushtruar fnksionin e drejtorit ekonomik të Klinikës së Gjinekologjisë.

Nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë e konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se vendimi është marrë me urdhër të ministrit Besfort Lamallari.

Sipas Ministrisë, vendimi u mor në bazë të Ligjit për të Huajt, përkatësisht në bazë të një neni që thekson se ministri shpall një shtetas të huaj të padëshiruar kur vepron ose propagandon kundër sovranitetit të Republikës së Shqipërisë, sigurisë kombëtare, rendit kushtetues dhe rendit e sigurisë publike, dhe kur është anëtar i organizatave terroriste apo përkrah e kryen veprime anarkiste kundër shtetit ligjor.

Valon Bela ka reaguar ndaj këtij vendimi përmes rrjetit social Facebbok duke thënë se vendimi është marrë në sinkron mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Një vendim administrativ nuk mund ta shpallë “non grata” historinë, sakrificën dhe kontributin e një shqiptari. Nëse një luftëtar i tri luftërave kombëtare shqiptare shpallet i padëshiruar në shtetin shqiptar, atëherë pyetja nuk është vetëm se kush u shpall “non grata”, por çfarë mesazhi po i jepet kujtesës sonë kombëtare”, shkroi Bela.

Bela në postimet në Facebook ka mbështetur protestat e “Revolucionit Flamingo” duke postuar edhe foto nga pjesëmarrja në to.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më herët ka pretenduar se protestat shoqërohen edhe me ndërhyrje nga jashtë, duke përmendur pjesëmarrjen e qytetarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Kujtojmë se në qershor, Shqipëria i ndaloi hyrjen për 15 vjet predikueses fetare nga Kosova, Ikballe Huduti, e njohur për qëndrimet e saj pro Iranit.