Agjencia për Ushqim dhe Veterinari në Maqedoninë e Veriut reagoi pas helmimit që u shfaq në Kroaci

Pas rastit me helmim nga lëngjet e ndryshme në Kroaci, ka reaguar edhe Agjencia për Ushqim dhe Veterinari në Maqedoninë e Veriut, duke paralajmëruar masa në rast nevoje, transmeton Portalb.mk.

“Po ndiqet gjendja me helmim nga ujërat minerale dhe lëngjet në Republikën e Kroacisë. Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV), si pikë kontakti të Sistemit evropian për njoftim të shpejtë të ushqimit të pasigurt dhe ushqimit për kafshë RASSF, deri në këto momente nuk ka marrë ndonjë njoftim se në tregun e Maqedonisë janë shpërndare ujëra minerale dhe lëngje të gazuara jo të sigurta”, njoftojnë nga AUV.

Ata theksojnë se janë përforcuar inspektimet në kontrollin e mallrave gjatë importit nga Kroacia, ndërsa në momentin që do të ketë nevojë do të merren masa.

Ndryshe, autoritetet në Kroaci më 8 nëntor u rekomanduan qytetarëve që të pinë vetëm ujë çezme përderisa ata po hetojnë raportimet për disa raste kur qytetarët janë sëmurë dhe kanë pësuar lëndime pas konsumimit të pijeve në shishe.

Autoritetet shëndetësore urdhëruan largimin nga dyqanet dhe restorantet të produkteve “të dyshuara”. Ata nuk treguan se cilat produkte janë tërhequr nga tregu, por sipas fotografive të postuara në rrjetet sociale nga dyqanet janë tërhequr produkte të kompanisë Coca-Cola.

Coca-Cola në Kroaci më vonë tha se ka tërhequr “përkohësisht” disa produkte, “edhe pse sipas analizave tona të brendshme nuk janë shfaqur parregullsi në prodhim apo në produkte”.