La Boétie mbi skllavërinë vullnetare

Historia dëshmon se popujt shpesh e pranojnë me dëshirë mashtrimin, nënshtrimin dhe skllavërinë. Për këtë “flirt me robërinë”, siç e quajti Kadareja, ka shkruar edhe Étienne de La Boétie (1530–1563) në sprovën Fjalim mbi skllavërinë vullnetare.

La Boétie, jurist, shkrimtar dhe mik i ngushtë i Michel de Montaigne-it, trajton në këtë vepër shkaqet se pse shumica e njerëzve i binden pushtetit, duke hequr dorë nga liria dhe vullneti i tyre i lirë.

Në sprovën e shkruar “në nder të lirisë dhe kundër tiranisë”, Boétie thotë se sundimtari e nënshtron një popull vetëm me miratimin e tij. Sundimtari do të ishte i pafuqishëm, nëse njerëzit s’do të bashkëpunonin me cubin që i grabit dhe me vrasësin që i vret. Kështu, ai ka mijëra sy për të spiunuar, sepse i zotëron sytë tanë. Ka mijëra duar, për të na goditur dhe grabitur, sepse i zotëron duart tona. Ka mijëra këmbë për të na shkelur, sepse i zotëron këmbët tona. Ka mijëra jetë që mund t’i flijojë për qëllimet e tij, sepse zotëron me jetët tona. Ai i zotëron edhe mendimet dhe ëndrrat tona.

Sipas Boétie-së, liria është pjesë e natyrshme e njeriut, kurse skllavëria nuk është ligj natyror. Madje edhe kafshët nuk e pranojnë robërinë.

“Edhe qetë rënkojnë nën zgjedhë, / Dhe zogjtë e mbyllur në kafaz këndojnë këngë të trishtueshme”.

Forca dhe mashtrimi çojnë në kalimin e heshtur nga liria natyrore në skllavëri. Këtë gjendje e kuptojnë vetëm mendjet e mprehta, prandaj urrehen nga despotët.

Boétie dalloi tre lloje despotësh, që kanë të njëjtin qëllim: si t’i detyrojnë njerëzit të heqin dorë nga liria e tyre.

“Disa (sundimtarë) e fitojnë pushtetin përmes zgjedhjeve popullore, të tjerët me forcën e armëve dhe të tretët me trashëgimi… Ata që zgjidhen nga populli sillen ndaj tij si ndaj një demi që duhet mposhtur; pushtuesit e trajtojnë popullin si prenë e tyre të ligjshme; kurse trashëgimtarët si një tufë skllevërish që, sipas mendimit të tyre, u përket natyrshëm.”

Sipas Boétie-së, njerëzit mund t’i shporin sundimtarët vetëm kur e kuptojnë gjendjen e tyre. Kryefjala e Boétie-së është: “Jini të vendosur për të mos shërbyer më dhe do të jeni të lirë!”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.