Kuvendi i RMV-së shpalli konkurs për zgjedhjen e anëtarit të ri të Antikorrupsionit

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut shpalli konkurs publik për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, transmeton Portalb.mk.

Anëtar i Komisionit Shtetëror mund të emërohet personi i cili i plotëson këto kushte:

  • të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të ketë vend të përhershëm të jetesës në Republikën e Maqedonisë së Veriut;
  • të ketë aftësi për punë;
  • të ketë arsim të lartë me të paktën 300 kredi SETK ose nivelin VII/1 të arsimit në fushën nga fushën e shkencave juridike ose arsim të lartë me të paktën 240 kredi SETK ose nivelin VII/1 të arsimit në fushën e shkencave politike, të komunikimit ose ekonomike;
  • të ketë të paktën 10 vjet përvojë pune pas përfundimit të arsimit të lartë, nga të cilat të paktën gjashtë vjet përvojë pune në fushat e zbulimit ose parandalimit të korrupsionit, sundimit të të drejtës ose qeverisjes së mirë;
  • nuk i është shqiptuar ndalim për ushtrimin e funksionit, veprimtarisë ose detyrës;
  • në 10 vitet e fundit, të mos ketë qenë deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, anëtar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të mos ketë qenë donator një partie politike ose të mos ketë kryer funksion në organet e partisë politike;
  • nuk e ka shfrytëzuar të drejtën nga neni 10 paragrafi (1), i këtij ligj

Personi i cili në çfarëdo mandati ka realizuar funksionin kryetar i Komisionit Shtetëror ose anëtar i Komisionit Shtetëror, pavarësisht nga kohëzgjatja e mandatit, nuk mund të zgjidhet përsëri as si kryetar dhe as si anëtar i Komisionit Shtetëror.

Kandidatët e interesuar fletëparaqitjet në të cilat do të theksojnë: adresën elektronike dhe numrin e kontaktit; biografitë personale dhe dokumentet që vërtetojnë përmbushjen e kushteve të lartpërmendura të këtij vendimi, në origjinal ose kopje të verifikuar nga noteri, të dorëzohen në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut brenda 10 ditëve nga dita e publikimit të këtij konkursi në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Kandidatët e interesuar, me dokumentet, duhet të dorëzojnë edhe deklaratë personale të verifikuar nga noteri.

“Njoftohen kandidatët që do të aplikojnë për këtë konkurs se të dhënat e tyre personale do të përpunohen ekskluzivisht për qëllime të zbatimit të procedurës së përzgjedhjes dhe një pjesë e tyre, në përputhje me Ligjin e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, mund të publikohen në faqen e internetit të Kuvendit: sobranie.mk. Me parashtrimin e fletëparaqitjes, kandidati jep pëlqimin që të dhënat e tij personale të përfshira në aplikim dhe dokumentacionin shoqërues të përpunohen nga persona të autorizuar në Shërbimin e Kuvendit në përputhje me Ligjin e Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe të ruhen në përputhje me normat për punën e arkivit.  Ky vendim do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në gazetat ditore “Slloboden Peçat”, “Veçer” dhe “Koha”, në ueb faqen e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në ueb faqen e Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit”, thuhet në shpallje.

Përndryshe, shpallja është hapur pasi ish-anëtarja e antikorrupsionit, Cveta Ristovska dha dorëheqje për shkak të skandaleve të lidhura me të. KSHPK, ku ajo ishte anëtare, i hapi lëndë për konflikt interesi, sepse firma e djalit të saj kishte marrë para nga partitë para zgjedhjeve, si dhe për mosdeklarim të pasurisë së dy firmave në pronësi të djemve.

Kujtojmë se sipas Raportit në hije për Kapitullin 23 të Institutit për Politika Evropiane (EPI), ndryshimet e mëparshme në Kodin Penal kanë pasur ndikim negativ në trajtimin e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë. Institucionet kryesore vazhdojnë të përballen me mungesë burimesh dhe kapacitetesh, ndërsa disa zhvillime institucionale dhe strategjike synojnë përmirësimin e sistemit antikorrupsion.

Edhe Komisioni Evropian, në raportin e fundit theksoi se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. “Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet në raport.