Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi pakon e ligjeve për pagat e 1060 personave të zgjedhur dhe të emëruar

Deputetët sot në kuadër të seancës së 145-të plenare i miratuan ndryshimet e gjashtë ligjeve me të cilat ulen koeficientët e pagave të personave të zgjedhur dhe të emëruar, raporton MIA.

Me këtë, do të ndalohet rritja e pagave të personave të zgjedhur dhe të emëruar, por u mbetet rritja e vitit të kaluar prej 78 përqind.

Me ndryshimet ligjore janë përfshirë rreth 1060 persona të zgjedhur dhe të emëruar siç janë presidenti, deputetët, ministrat, gjyqtarët, prokurorët publikë, anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë.

Propozim-ndryshimet i dorëzoi grupi parlamentar i LSDM-së, ndërsa dje ndaj paralajmërimeve të tilla reaguan nga Shoqata e gjyqtarëve, Këshilli Gjyqësor dhe Shoqata e prokurorëve publikë.

Për pagat e zyrtarëve që emërohen drejtpërdrejt nga Qeveria dhe që nuk janë të përfshirë me ndryshimet ligjore, shqyrtësohet mundësia ligjore e ndërhyrjes me vendim të qeverisë, ndërsa sipas zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi, kjo mund të të bëhet edhe nga bordet drejtuese dhe mbikëqyrëse.

Ndryshe, punonjësit e gjykatës dhe prokurorisë publike që nga 27 shtatori janë duke reaguar, duke kërkuar pagesën e shtesave dhe rritje të pagave prej 78 për qind, shuma me të cilën u rritën pagat e të zgjedhurve dhe të emëruarve.

Pas mospërfilljes së kërkesave të tyre, Sindikata e Pavarur e Administratës Shtetërore (SPASh) dhe Sindikata e Pavarur e Shërbimit Gjyqësor mbajtën protesta, duke paralajmëruar se nëpunësit gjyqësorë do të fillojnë me greva. Punonjësit e prokurorisë dhe gjykatës po protestojnë për rritjen e rrogës deri 78 përqind.

Ministri për Financa në Maqedoninë e Veriut, Fatmir Besimi, në muajin dhjetor të vitit të kaluar ka sqaruar që në buxhetin për vitin 2024 është planifikuar rritje e mjeteve për 10 përqind për rritjen e rrogave në sektorin publik.