Kuvendi i Maqedonisë së Veriut i miratoi ndryshimet ligjore me të cilat do të ulen edhe rrogat e deputetëve

 Kuvendi sonte, në kuadër të seancës së 89-të, pa debat miratoi pakon e ligjeve me të cilat bëhet nivelizimi i pagave të personave të zgjedhur dhe të emëruar. Me këto ligje parashihet ulje e pagave deri në 13.000 denarë. Deputetët votuan ndryshimet e Ligjin për deputetët, në Ligjin për pagën dhe kompensimet e tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar, në Ligjin për pagat e prokurorëve publikë, në Ligjin për pagat e gjyqtarëve, në Ligjin për pagat e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë dhe në Ligjin për pagat e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë, raporton MIA.

Me këto ligje, siç arsyetoi më parë sot një nga propozuesit të ndryshimeve ligjore deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, vendosen nivele reale të pagave. Stojanoski shpjegoi se me këto zgjidhje të propozuara bëhet ndërhyrje në koeficientët dhe se kjo zgjidhje ligjore është në përputhje me Kushtetutën dhe nuk mund të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese.

Në vazhdimin e sotëm foli vetëm deputeti Skender Rexhepi, i cili tha se në vend ka kushte të këqija për jetesë, ndërsa Qeveria, siç u shpreh ai, ka planifikuar për vete të sigurojë një aeroplan të ri me vlerë 100 milionë euro. Sipas tij, ulja e pagave të deputetëve është populizëm. Ai propozoi që aq sa do të ulen pagat e deputetëve, për aq të rriten pagat e qytetarëve.

Ndryshe, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë më 4 shkurt e paraqiti një iniciativë në Kuvend dhe grupet parlamentare për të ulur pagat e funksionarëve me 80 përqind. Aty thuhet se neni 11 i Ligjit për pagat dhe kompensimet e tjera të zyrtarëve ndryshohet dhe shton se baza për llogaritjen duhet të jetë paga minimale, sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave. Ata shtojnë gjithashtu se koeficientët për përcaktimin e kompensimit të pagave të anëtarëve të parlamentit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe personave të tjerë të zgjedhur dhe të emëruar të ulen me 40 përqind.