Kush ishte Fadil Curri ‘njeriu i rrezikshëm për shtetin’ që u preh në amshim

Familja e shkrimtarit të ndjerë Fadil Currit u zhvendos në Shkup pak muaj pasi lindi ai. Edhe pse u shkollua këtu, krijoi familje këtu, shteti e konsideroi si njeri të rrezikshëm ndaj nuk i dha nënshtetësi, si pasojë duhej të zhvendosej në Hanin e Elezit dhe të konsiderohej i huaj në shtëpinë e vet në Shkup. Për lexuesit e Portalb.mk sjellim disa fakte për jetën e tij dhe aktivitetet e tija të cilat jo vetëm nuk u ndalën, por qenë edhe më të bujshme pas ndeshjes së tij me sistemin.

Fadil Curri i lindur në fshatin Dërmjak të Hanit të Elezit më 25 shtator 1959 ndërroi jetë dje në moshën 65 vjeçare.

Stërvitjet e tija në shkrim i nisi qysh kur i erdhën frymëzimet e para të cilat i botonte në revistat e njohura letrare të kohës që brezi i tij i kujton me nostalgji “Gëzimi” e “Fatosi”.

Fadil Curri gjatë kohës së studimeve si student i gjuhës kërkoi që ta njihte edhe letërsinë shqipe ndaj kërkoi nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë që t’ia sillnin librat më të rinj që botoheshin andej. Librat i erdhën, por pas dy javësh iu vu në përndjekje shteti dhe ai nuk gjeti më rehati, pasi u detyrua të shpërngulej në Kosovë ku do të punonte gjithë jetën dhe në shtëpinë e vet në Shkup gjithë jetën do të vinte si i huaj, duke kërkuar leje qëndrimi të përkohshme.

Profesor Curri në një intervistë të tij thoshte se ligjet e Maqedonisë vërtetë kanë ndërruar, por botëkuptimet e Sigurimit të Maqedonisë janë po ato botëkuptime të vjetra. Ai provoi më vonë të rikthente nënshtetësinë, por shteti ia refuzoi duke e quajtur të rrezikshëm për Sigurinë e Maqedonisë. Aktivitetet e tija patriotike do t’i sillnin telashe edhe gjatë shërbimit ushtarak jugosllav në Lubjanë ku e paraburgosën në kazermën e këtij qyteti për shkak të “tubimit të shqiptarëve”.

Ai ka ndihmuar të rinjtë të botonin e sidomos ka motivuar gazetarin Avni Tahiri dhe jo vetëm, të shkruaj librin e parë me poezi shqipe në Veles që u prit shumë mirë dhe ishte gati si akt heroik ajo mbështetje, me motivin e një dashurie të flaktë për gjuhën dhe letërsinë që e ka shoqëruar deri në grahmën e fundit. Ai nga fundi i jetës nuk i bëhej më vonë që shteti nuk ia dha nënshtetësinë, pasi siç thoshte ai, jeta e tij tashmë kishte shkuar, por i vinte keq për gjithë ato njerëz të tjerë si ai që ndeshnin në të tilla padrejtësi e që ishin shumë më shumë në numër se sa shteti thotë.

Fadil Curri pas diplomimit punoi si kryeredaktor i gazetës “Sharri” në Han të Elezit, drejtor për kulturë në Kaçanik, kurse vitet e fundit punoi si mësimdhënës i gjuhës shqipe e letërsisë.

Fadil Curri është autor i dhjetë librave të botuar, redaktor, recensent e lektor i dhjetëra librave letrarë e shkencorë. Është autor i librave:

  • A(h) fati(h) ënë në peshojë” (Përmbledhje tekstesh udhëtimi nga Belgjika e Gjermania, biseda e shënime me të burgosur e të padrejtësuar dhe krimin në Bllacë të Shkupit nga çetnikët e komunistët),
  • “Kohë qorre – A blind time ” (tufë poezish në shqip e anglisht),
  • “Kronikë për dashuri ” (roman me dy botime),
  • “Muzat e Hanpencit” (panoramë letrare shkollore e Hanit të Elezit),
  • “Tregime për fëmijë ” (përmbledhje tregimesh për fëmijë),
  • “Rinjoja pas vdekjes në… Kosovë” (roman, vazhdim tematik i “Kronikë për një dashuri”),
  • “Kështu mendonte, fliste e shkruante Adem Kastrati ” (autobiografi dhe shkrime të tjera),
  • “Aty ku u kalitën kampionët ” (monografi e historisë së mundjes në Han të Elezit),
  • “Arka e thesareve” (dramë e inskenuar dhe e shpërblyen në Festivalin dramatik të shkollave të Kosovës në Skenderaj, pastaj e botuar si libër),
  • “Hani i Elezit leksikor me frazeologji ” (fjalë të shënuara nga kjo anë).
  • “Pallë kritike mbi qepallën agonike ”, SHB “Shkupi”, Shkup 2015.
  • Shtegtime letrare, 2023.

Curri u varros me 7 prill 2024 në varrezat e Butelit në Shkup.