Zgjedhjet në Bërvenicë: Arkin Jahiji do jetë kandidat i BDI-së
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka njoftuar se në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Bërvenicës të cilat do të mbahen më 18 tetor 2026 do të garojë me kandidatin Arkin Jahiji, shkruan Portalb.mk.
BDI ka bërë të ditur se me Arkin Jahijin, synojnë një Bërvenicë më të zhvilluar, më dinjitoze, me administratë në shërbim të qytetarëve, investime konkrete dhe mundësi të barabarta për çdo vendbanim dhe çdo qytetarë.
“Besojmë se Bërvenica ka potencial të madh dhe meriton një udhëheqje që njeh nevojat e qytetarëve dhe punon çdo ditë për zgjidhjen e tyre. Arkin Jahiji do të jetë zëri i çdo qytetari dhe partner i secilit që dëshiron të kontribuojë për zhvillimin dhe mirëqenien e komunës”, kanë njoftuar nga BDI.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës do të mbahen më 18 tetor. Kujtojmë se zgjedhjet mbahen pasi javë më parë ndërroi jetë kryetari i komunës.
Sipas Kodit Zgjedhor dhe ligjeve në fuqi, këtë vendim e nënshkroi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi. Ai u bëri thirrje të gjithë kandidatëve dhe subjekteve politike që fushatën ta zhvillojnë me dinjitet, duke garuar me programe, ide dhe vizion për zhvillimin e komunës, e jo me gjuhë përçarëse apo veprime që cenojnë besimin e qytetarëve në procesin demokratik.
Kujtojmë se Këshilli Komunal i Bërvenicës e emëroi Robert Millosheskin si ushtrues detyre kryetar i komunës, ai e mbante pozitën e kryetarit të këshillit komunal, ndërsa në vend të tij si kryetar këshilli u vendos Mirosllav Dailovski.
Kryetari i Komunës së Bërvenicës, Jovica lievski, vdiq në qershor të këtij viti. Ai ishte kryetar i Komunës së Bërvenicës që nga viti 2021, ai e fitoi mandatin e dytë në krye të kësaj komune në zgjedhjet e fundit lokale në 2025.