Takimimes Kurtit dhe Abdixhikut për presidentin përfundoi pa rezultat

Një takim i paparalajmëruar mes Liderit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në opozitë, Lumir Abdixhiku, për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës, ka përfunduar pa ndonjë përparim të shtunën vonë, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Kurti, kryeministër në detyrë, dhe Abdixhiku, janë duke zhvilluar bisedime në përpjekje për ta arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, që do t’i jepte fund krizës pothuajse dyvjeçare institucionale.

Por, takimi i së shtunës nuk ishte paralajmëruar paraprakisht dhe asnjëri prej liderëve nuk foli për media për bisedimet më të fundit.

Megjithatë, i pyetur nga gazetarët duke dalë nga takimi nëse ishte arritur ndonjë përparim, Kurti tha: “Kur të kemi rezultate nga ana jonë, do të kemi lajme për ju”.

Kurti heshti kur u pyet nga gazetarët se çfarë emrash ishin përmendur për president gjatë bisedimeve.

Ky ishte takimi i dytë këtë javë mes tyre, pas atij të mërkurën, pas të cilit të dy liderët thanë se kishin biseduar për emrat e mundshëm për presidentin e ardhshëm, duke i cilësuar negociatat si të “vështira”.

“Jemi në një fazë të re, kur po bisedojmë për dhe me emrat konkretë e të përveçëm, të cilët nuk mund të behën publik derisa të ketë pajtueshmëri për ta dhe me ta”, kishte thënë Kurti pas atij takimi.

Për shkak të mospajtimeve mes partive parlamentare për pasardhësin e Vjosa Osmanit, Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme në qershor.

Dhe ajo rrezikon të mbajë sërish zgjedhje, që do të ishin të katërtat parlamentare në dy vjetet e fundit, nëse nuk zgjidhet presidenti i ri deri në fillim të shtatorit.

Vendi është me ushtruese të detyrës së presidentit, Albulena Haxhiun, qëkurse Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në prill.

Haxhiu, sipas Kushtetutës mund ta ushtrojë këtë post vetëm për gjashtë muaj – pra deri më 4 tetor.

Akti më i lartë juridik në vend nuk ka paraparë e çfarë ndodh nëse përfundon kjo periudhë dhe vendi s’ka president të ri.

LVV-ja dhe LDK-ja, pas dështimit të bisedimeve për bashkëpunim qeveritar, kanë mbajtur tri takime ku kanë biseduar për një marrëveshje të mundshme për presidentin e ardhshëm, por nuk kanë treguar se kush janë kandidatët e mundshëm.

Çështja e presidentit ishte pika më e nxehtë edhe në bisedimet e dështuara për bashkëqeverisje mes LVV-së dhe LDK-së.

Partia e Kurtit i fitoi 53 mandate në zgjedhjet e fundit dhe, së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë, i ka votat e mjaftueshme prej të paktën 61 sosh, për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re.

Megjithatë, nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në për çështjen e presidentit, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.