Kur pushteti verbohet, vetëm ndërgjegjja njerëzore mund të ndalë humnerën

Në një botë që ngjan se po vrapon drejt një përplasjeje të pakthyeshme, fjalët e urta dhe qetësia mendore janë bërë luks, ndërsa drejtësia në shpirt është më e nevojshme se kurrë. Luftërat e ditëve të fundit, përplasjet gjeopolitike mes fuqive të mëdha, si dhe përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, e rikujtojnë njerëzimin se jemi ende të pambrojtur përballë lakmisë dhe mendësisë së vjetër të dominimit.

Shkruan: Xhevdet Fejzulla

Në këtë kontekst, është e domosdoshme të ndalemi dhe të pyesim: Kush po udhëheq? Me çfarë logjike po matet rruga drejt paqes ose luftës? Sepse mënyra se si arrihet në pushtet dhe mënyra se si ai pushtet ushtrohet, tregon thelbin e sistemit dhe njerëzve që e përfaqësojnë.

Sot, më shumë se kurrë, shohim që shumë liderë nuk përfaqësojnë popujt e tyre, por interesat e elitave ekonomike dhe të atyre që Atatürk dikur i quante “vegla të papërgjegjshme të ideve të huaja.” Magnatët dhe teknokratët e epokës moderne shpesh nuk kërkojnë drejtësi, por kontroll. Dhe kur pushteti drejtohet nga vegla, e jo nga ndërgjegjja, njerëzimi ecën verbërisht drejt humnerës.

Por ka edhe një anë tjetër: Shpresa që lind nga mendësia e re. Një mendësi që nuk e sheh ndryshimin si shkatërrim të tjetrit, por si bashkëjetesë të vlerave. Një mendësi ku nuk kërkohet që dikush të heqë dorë nga besimi i vet, por të gjejë urën që bashkon. Në fund të fundit, siç thotë Jezusi Krishti: “Mos i bëni tjetrit atë që nuk doni të bëhet juve.” Ky është një udhëzim universal — qoftë për myslimanin hanefi, aleviun, hebreun, të krishterin apo edhe ateistin.

Drejtësia e vërtetë fillon në shpirt. Pa të, çdo ligj është bosh, çdo pushtet është iluzion.
Modeli shoqëror nuk ndërtohet me frikë, por me thelb: me frymë, me dashuri, me respekt.

Pauza që marrim për të reflektuar, si individë apo si kombe, është si një reset moral — një mundësi për të mos u kthyer pas, por për të ndryshuar drejtimin.

Le ta lëmë kohës rrjedhën e saj, por mos ia lëmë ndërgjegjes dështimin.
Sepse pa ndërgjegje, as koha nuk na shpëton dot.