Dyshohet se 65 persona janë helmuar në Han të Elezit, tre u dërguan në QKUK
65 persona dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në Han të Elezit, në dy piceri. Drejtoresha e Shëndetësisë në këtë Komunë, Kimete Kuka, ka thënë se janë marrë mostra nga Instituti i Shëndetësisë Publike bashkë me Inspektoratin Shëndetësor dhe se po presin për rezultate, transmeton Koha.net.
Sipas Kukës, rastet e para të paraqitura me simptoma të helmimit janë paraqitur të hënën në orën 16:00, deri në orët e hershme të mëngjesit të së martës. Tre prej tyre janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim.
Aktualisht në Qendër të Mjekësisë Familjare atje po trajtohen mbi 90 persona me simptoma të ngjashme por sipas Kukës këtu bëjnë pjesë edhe rastet me virozë.
“Nga ora 16:00 e datës 13.07.2026, kanë filluar të paraqiten rastet e para të dyshuara nga helmimi. Më së shumti raste kanë filluar të paraqiten nga ora 23:00 dhe kanë vazhduar deri në orën 04:00 të mëngjesit të datës 14:00. Trajtim aktualisht po marrin 65 persona. Dyshohet se 65 është numri i personave të dyshuar për helmim sepse në total janë mbi 90 persona me simptoma sikur të helmimit por që janë me virozë”, ka thënë Kuka.
Ndërkohë sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, për këto dy ditë janë trajtuar rreth 80 persona me simptoma të diarresë dhe vjelljes.