Kur Presidentja fal njerëz “interesantë”
Instituti i faljes presidenciale është ndër institutet më të keqpërdorura juridiko-kushtetuese në Maqedoninë e Veriut. Por ironia bëhet më e rëndë kur profesorë të së drejtës kushtetuese e keqpërdorin këtë institut dhe ua falin dënimet atyre që botërisht njihen si kryerës të veprave të rënda penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kështu, Në Maqedoninë e Veriut tetë vite më parë u falën në mënyrë skandaloze dhe kontroverse të gjithë të involvuarit në rastet e Prokurorisë Speciale që atëherë funksiononte me qëllim që të ndiqen funksionarë të lartë shtetëror dhe të dënohen për korrupsion dhe krim të organizuar. Pasojat e asaj faljeje presidenciale të presidentit të atëhershëm që poashtu ishte profesor në fakultetin juridik, Gjorgje Ivanov, i ndjejmë sot e kësaj dite, duke qenë se edhe rastet që përfunduan nuk janë krejtësisht të qarta në aspektin e vlefshmërisë juridike të asaj faljeje që u dha. Njëri nga të dënuarit në rastet e Prokurorisë Speciale ishte edhe Vladimir Talevski, ish-kryetari i komunës së Manastirit i cili është njëri ndër dhjetë personat e falur dje nga ana e Presidentes së tashme, poashtu profesoreshë e së drjetës kushtetuese në fakultet juridik, Gordana Siljanovska Davkova, e cila e pa të arsyeshme që të falë një ish funksionar për vepra penale të korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Përveç Talevskit, Presidentja, profesoreshë shumë e nderuar dhe e respektuar që nuk ngurron të flasë për parimet e drejtësisë në çdo rast, fali edhe të dënuar tjerë, pjesëtarë të grupeve të krimit të organizuar të dënuar për vepra penale që involvojnë armëmbajtje pa leje dhe trafikim me narkotikë. Ky është një shembull shumë i mirë se si profesorët dinë të mbajnë ligjërata për atë se si duhet të jetë drejtësia duke cituar thënie latine që duhet të dëshmojnë për diturinë e tyre të gjerë (de lege ferrende- drejtësia siç duhet të jetë) por në fakt, kur vetë duhet të vendosin drejtësi, atëherë bëjnë diçka tjetër dhe ne kemi këtë drjetësi që kemi (de lege lata – drejtësia ashtu siç është).
Por ajo që është më frustruese në rastin e fundit është mënyra e pamatur me të cilën Presidentja u mundua ta relativizojë dëmin që ka shkaktuar për sistemin e drejtësisë në vend. E pyetur se si ka vendosur që të falë pjesëtarë të narko-grupeve të nëntokës, ajo tha që tani e ka parë edhe vetë që personat që ajo ka falur janë mjaft “interesantë në kuptim negativ” por që ajo nuk i ka njohur si emra por ka ndjekur propozimin e Komisionit për falje i cili ka përgatitur propozim vetëm duke u bazuar tek veprat penale të cilat janë kryer e jo edhe tek emrat e personave. Kjo deklaratë e Presidentes është shumë problematike në disa aspekte.
Problemi i parë qëndron në faktin që Presidentja nuk merr përgjegjësi për veprimet e veta por ia hedh përgjegjësinë Komisionit për falje i cili i shqyrton kërkesat për falje dhe përgatit PROPOZIM deri tek Presidentja. Sipas Kushtetutës dhe ligjeve të këtij vendi, falje nuk jep Komisioni por Presidenti i shtetit. Pra është e pritshme që Presidenti të dijë saktësisht kë fal, për çfarë vepre e fal dhe për çfarë dënimi. Këtë më së miri e di profesoresha e së drejtës kushtetuese që pa dyshim i di mirë kompetencat e Presidentit të shtetit ku hyn edhe falja. Të thuash që nuk ke njohuri për atë se kë ke falur është një shkelje e rëndë e profesionit primar që e ke si njohëse e mirë e këtyre gjërave dhe kjo është deklaratë e papranueshme për një Presidente.
Problemi i dytë qëndron në faktin që procedura për falje involvon edhe Ministrinë e Drejtësisë edhe Komisionin për falje të cilët paraprakisht duhet të kenë dhënë një vlerësim për këto kërkesa. E habitshme është se si kryerës të veprave të rënda penale, të akuzuar për krim të organizuar, korrupsion dhe tregti me narkotikë arrijnë të kenë aq shumë ndikim në të gjitha instancat dhe t’i zëvendësojnë dënimet me burg me dënime me kusht aq lehtësisht, kur të dënuar të tjerë vazhdojnë të vuajnë dënimet në burgjet tona sub-standarde. Anëtarë të Komisionit për falje kanë thënë që kushtet në burgjet tona janë shumë të këqija prandaj faljet duhet të jepen më shpesh. Por duhet patur parasysh që faljet parimisht nuk jepen për shkak të kushteve të këqija të vuajtjes së dënimit. Nëse burgjet janë sub-standarde, ashtu siç vërtet janë, ai problem duhet zgjidhur me mjete dhe investime tjera nga institucionet shtetëtore e jo duke i falur kriminelët e dënuar.
Problemi i tretë dhe më i rëndë qëndron në faktin që po bëhet gjithnjë e më notor: liria blihet me para. Ashtu siç disa blenë lirinë për të mos qëndruar në paraburgim gjatë gjykimeve për veprat penale të cilat me kohë dhe me para të harxhuara nëpër avokatë u parashkruan (vjetërsuan), në të njëjtën mënyrë po duket se ata që kanë fituar shumë para me veprimtari kriminele të krimit të organizuar sot falen dhe vazhdojnë të jetojnë e të veprojnë në liri. Kjo krijon ndjesinë e përgjithshme që veprimtaria kriminele në fund të fundit shpaguhet. Sepse i bie që duke vepruar në mënyrë të paligjshme krijoni pasuri të madhe, fitoni respekt në shoqëri, dhe më e rëndësishmja, keni mundësi të paguani për të fituar drejtësi më të përshtatshme për ju.
Kjo nuk duhet të jetë drejtësia. Por gjërat janë ashtu siç janë.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.