Nga data 17-20 dhjetor, do të mbahet edicioni i 64-të i Festivalit të Këngës në RTSH: Marrin pjesë 28 këngëtarë
Festivali i 64-t i Këngës në RTSH është gati për emocionet e dimrit me katër net magjike muzikore që do të zhvillohen më 17, 18, 19 dhe 20 dhjetor. Edicioni i sivjetshëm sjell në skenë një përzgjedhje të anëtarëve të rinj dhe emra të njohur, të cilët do të ngjiten në Pallatin e Kongreseve në Tiranë me këngë të reja, emocione të freskëta dhe performanca që premtojnë spektakël, shkruan Portalb.mk.
28 artistë, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike e RTSH-së, po përgatiten prej ditësh për një edicion që synon të vendosë standarde të reja në muzikën e lehtë shqiptare. Provat intensive, idetë kreative dhe përkushtimi i secilit prej tyre e kanë kthyer këtë periudhë në një laborator të vërtetë artistik, ku çdo këngë po merr formën finale për t’u prezantuar para publikut dhe jurisë.
Atmosfera e festivalit tashmë ndihet në çdo detaj: nga tingujt që vijnë nga salla e provave, te bisedat për interpretim, dritat që testohen në skenë, deri te emocionet e artistëve që presin të performojnë live. Çdo element po ndërtohet me kujdes dhe profesionalizëm, për t’i ofruar publikut një përvojë krejtësisht të veçantë.
Fest 64 nuk është vetëm një garë, por një festë e madhe e artit shqiptar një takim i zërave, kompozimeve, orkestrimeve dhe talenteve që për vite me radhë kanë qenë pjesë e memories kulturore në vend. Ky edicion premton të sjellë surpriza, emocione dhe këngë që do të mbeten gjatë në mendjen e publikut.
Në dhjetor, dritat e Pallatit të Kongreseve do të ndizen sërish për të ngjitur në skenë shpirtin krijues të artistëve shqiptarë. Festivali i Këngës në RTSH vjen më modern dhe më i kurorëzuar me energji pozitive gati për të dhuruar katër net plot muzikë, art dhe emocion.