Kur djegim jorganin për një plesht

Ndër stinët më të vështira nëpër të cilat kaloi Shqipëria postkomuniste, qenë ato të viteve të nëntëdhjeta, kur ndodhën trazirat dhe eksodi masiv i të rinjve shqiptarë. Ishte koha kur njerëzit e revoltuar dhe të varfëruar gjithanshëm braktisën Atdheun dhe shkatërruan gjithçka shoqërore – institucionet, fabrikat, dyqanet, kazermat…, duke lënë pas qytete dhe fshatra të ngjashme me Hiroshimën… Asokohe  Kadareja botoi shkrimin, nëpërmjet të cilit përcolli mesazhin: “Lëvizni gotat, por kujdes tavolinën!”

Besoj është e qartë përse e shkroi këtë gjeniu i letrave shqipe, njëri prej shkrimtarëve më të njohur të veprave antidiktaturë të ish kampit monist, intelektuali dhe njeriu që i përjetoi rëndë dhembjet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, në një kohë kur mllefi i akumuluar me dekada ndaj një sistemi u ndërsye kundër Atdheut, duke e rrezikuar seriozisht shembjen e tij të përfundshme.

Ngjarja për të cilën shkroi Kadareja, nuk mund të krahasohet me rrëfimin e mëposhtëm, por e nisa kësisoj, sepse janë të një sindromi dhe kanë të njëjtin burim – atë vesin tonë kronik që na ka nxitur sa e sa herë ta djegim jorganin për një plesht, sado që pleshtat për të cilët po flasim nuk janë për t’i neglizhuar, sepse ekspansioni i tyre ka shkërmoqur shoqëri më stabile se kjo jona.

Po e rrëfej pra ngjarjen e ndodhur në një fshat fushor të Pollogut, të populluar 100% me shqiptarë, ku në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar u ndërtua një fabrikë tekstili, që hapi mundësinë e punësimit të femrave shqiptare, mundësinë e përmirësimit të gjendjes sociale të shumë familjeve, që mbijetojnë falë pagës së një anëtari të punësuar në punë shteti, siç shprehen tetovarët.

Për këtë shkak, rastin e dhënë e shfrytëzuan gratë, motrat dhe vajzat e familjeve pak më përparimtare, që nisën të punojnë, duke braktisur mekamin e jetës pasive brenda katër mureve të shtëpisë dhe sigurimin e mirëqenies vetëm nga një krah i vetëm. Por, akoma pa nisur mirëfilli të funksionojë fabrika, mori dhenë shpifja: Në fabrikën X ndodhin gjëra amorale…

Natyrisht, shpifjet e bënë të veten, sepse telallët e tjetrit e bënë temë dite degjenerimin që gjoja shpërtheu në një fabrikë ku gati 100 % e të punësuarave ishin gra.
Për çudi, askush nuk u lodh ta hulumtojë të vërtetën, ta kuptojë burimin e sihariqit të paverifikuar kurrë. Rrallë kush e kuptoi qëllimin e kësaj shpifje, e cila përshpejtoi mbylljen e fabrikës, duke shkaktuar dy dëme të pariparueshme, i pari që kishte të bëjë me dëmtimin e buxhetit familjar të të punësuarave, me çka nxitej dhe bëhej e paevitueshme shpërngulja e përgjithmonshme e shqiptarëve nga trojet e të parëve…, kurse dëmi i dytë kishte të bëjë me fyerjen e dinjitetit dhe moralit të femrave të punësuara në fabrikën e posahapur, sepse i binte sikur ato, posa dalin nga shtëpitë e tyre, përbaltin nderin personal dhe familjar!?
Kësi rastesh, kur luajmë injoratnshëm lojën e tjetrit, kur djegim jorganin për një plesht, kur rrënojmë institucionet për një mi gjirizesh, kur e fyejmë racën për pallavrat e një degjeneruesi, kemi plot, ndaj jemi këtu ku jemi…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.