Komisioni Evropian prezantoi planin e ri për frenimin e narkotikëve

Bashkimi Evropian do të përdorë satelitë me rezolucion të lartë dhe dronë të teknologjisë së fundit për të luftuar trafikun e drogës në kufijtë e tij, raporton ABC. Komisioni Evropian prezantoi këtë të enjte planin e tyre të ri të veprimit dhe rregullat e reja për monitorimin e Substancave narkotike që qarkullojnë brenda unionit 27 anëtarësh.

Komisionari i Çështjeve të Brendshme, Magnus Brunner, deklaroi se BE-ja nuk do të tolerojë rrjetet kriminale që furnizojnë qytetet me drogë te llojeve te ndryshme dhe nxisin akte dhune.

Plani do ti japë prioritet bashkëpunimit mes doganave të vendeve anëtare dhe kompanive private të shpërndarjes së pakove të ndryshme për të rritur zbulimin e qarkullimit të drogave të ndryshme. Europol do të forcojë mbikëqyrjen e tregjeve digjitale dhe do të koordinojë hetimet ndërkufitare për çmontimin e rrjeteve kriminale.

Agjencia e Bashkimit Evropian për Trafikimin e Drogës deklaroi  do të angazhohet për të zbuluar substancat e reja që qarkullojnë brenda unionit si dhe do të lëshojë paralajmërime të shpejta mbi rreziqet e drogave sintetike. Roli më I rëndësishëm në planin e ri do të jetë ai i Frontex qe do të rrisë kontrollin e kufijve të jashtëm me pajisje moderne vëzhgimi, përfshirë dronë dhe satelitë.

Sipas Agjencisë se Bashkimit Evropian për Trafikimin e Droges, kokaina mbetet droga më e shpërndarë në Evropë, me 419 tonë të kapur në vitin 2023. Përdorimi i kokainës është rritur dhe 2.7 milionë të rinj evropianë raportuan konsumimin e saj vitin e kaluar. Një sfidë e madhe janë edhe drogat sintetike, me rreth 500 laboratorë të paligjshëm që zbulohen çdo vit dhe që prodhojnë sasi të mëdha mbetjesh toksike.