Kumanovari i vuri flakën barit të thatë me koktej mollotovi 

Ministria e Punëve të Brendshme përmes një komunikate për media, njoftoi se, në orën 02:00 të mëngjesit, në Shërbimin e Brendshëm të Policisë së Kumanovës është raportuar se një person në gjendje të dehur me koktej mollotovi i ka vënë flakën barit të thatë në hyrje të lagjes Sredorek, transmeton Portalb.mk.   

Me këtë ai ka shkaktuar një zjarr të madh në hapësirë të hapur. “Zyrtarët policorë kanë dalë në vendngjarje dhe kanë gjetur personin S.S. (27) nga Kumanova, i cili është denoncuar nga një dëshmitar okular dhe i njëjti është privuar nga liria në Stacionin Policor të Kumanovës”, njoftoi policia. 

Gjatë një kontrolli të S.S., është njoftuar, ndër të tjera, se ai kishte 2.40 promil alkool në gjak.  

Shërbimi i Brendshëm i Policisë së Kumanovës u zotuan se po marrin masa për sqarimin e plotë të rastit. 

Maqedonia e Veriut, edhe këtë verë po përballet me zjarre masive të pakontrolluara, si dhe sërish ka problem me menaxhimin e tyre për shkak të mungesës së pajisjeve dhe burimeve njerëzore.

Për këtë arsye, ngjashëm si vitin e kaluar, është aktivizuar Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i Bashkimit Evropian.

Për të zbutur këtë situatë,  me vendim qeveritar pritet që 400 zjarrfikës të përkohshëm do të punësohen dhe të vendosen në Brigadat e Zjarrfikësve Komunal, që është gjysma e numrit të nevojshëm.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut deri më 23 korrik do të pranojë qytetarë të interesuar për të punuar në njësitë zjarrfikëse.

Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.

Edhe viteve të fundit gjatë periudhës së verës vendi është përballur me shumë zjarre në pyje. Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).