Prokuroria: Në shtëpinë e një 23-vjeçari nga Shkupi u gjetën armë dhe municione

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka lëshuar urdhër për të zhvilluar procedurë hetimore kundër një personi për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka kryer veprën penale – Prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregtim i paautorizuar me armë ose eksplozivë sipas nenit 396, paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

“Në bazë të një urdhri gjyqësor të dhënë nga prokurori publik, policia dje ka kontrolluar shtëpinë e të dyshuarit, 23-vjeçar në Shkup. Gjatë kontrollit, janë gjetur një pistoletë gjysmë-automatike dhe gjithsej 51 fishekë me kalibër Para 9 mm, si dhe korniza dhe aksesorë të tjerë për armën që ai e posedonte pa leje”, thuhet në njoftimin e PP.   

Prokurori publik i ka paraqitur një propozim gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup këtë mëngjes për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, sepse ekziston rreziku që ai të arratiset ose të përsërisë krimin nëse mbrohet në liri.